Tashme eshte thyer miti I dikurshem qe shoqerite e sigurimeve “nuk paguajne”. Pasi jane testuar me nje sere problematikash si me termetin dhe me pandemine dhe duket se rezultatet kane reflektuar ne te gjitha hallkat. Dosjet e demeve nuk qendrojne me neper syrtaret e siguruesve, vetem nje pjese shume e vogel I eshte drejtuar gjykatave. Bazuar ne buletinin zyrtar statistikor te AMF per vitin 2022 numri i dëmeve pezull në tregun e sigurimeve të Jo-jetës, në raport me numrin e dëmeve të trajtuara nga shoqëritë e sigurimeve rezulton të jetë në nivelin më të ulët historik . Në një analizim të të dhënave, rezulton se në fund të vitit 2022 vetëm 13.4% e numrit total të dëmeve të trajtuara, janë ende pezull (në proces vlerësimi/trajtimi, të miratuara por ende të papaguara ose në proces gjyqësor).
Referuar të dhënave, nga viti 2010-2016, raporti është luhatur në shifrat 24%-28%, ndërsa në vitin 2017 ka pësuar ulje, për t’u rritur në vitin 2019 në masën 21.2%, ndikuar kryesisht edhe nga efekti i dëmeve të dy ngjarjeve të tërmetit. Nga viti 2019 trendi ka vijuar në rënie, duke arritur në 13.4% në fund të vitit 2022.
Ndikim në uljen e praktikave të dëmeve pezull kanë patur inspektimet vijuese të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në të gjitha shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, me fokus kryesisht dëmet, trajtimin dhe pagesën e tyre brenda afateve të përcaktuara edhe në ligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Viti 2022 mbyllet me 8607 praktika rreth 20% me pak se nje vit me pare.
Kjo është reflektuar direkt edhe në uljen me rreth 20% të numrit të praktikave të dëme pezull, nga 10,745 në fund të vitit 2021, në 8607 në fund të vitit 2022.
E njëjta tendencë konstatohet edhe sa i përket sigurimit TPL (sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësive ndaj palëve të treta), segmenti më i madh i tregut të sigurimeve. Referuar të dhënave, në fund të vitit 2022, numri i dëmeve pezull kundrejt dëmeve të trajtuara për sigurimin TPL rezulton të jetë 22.4%, shifra më e ulët që nga viti 2010, kur janë analizuar të dhënat. Numri i dëmeve pezull në raport me dëmet e trajtuara nga shoqëritë e sigurimit vlerësohet si një tregues kyç përsa i përket gadishmërisë, efikasitetit dhe korrektësisë për t’iu përgjigjur në kohë dhe pa vonesa të siguruarve për pagesën e dëmeve për çdo ngjarje sigurimi.