Sigurime të Detyrueshme

ÇFARË NDODH NËSE NUK KE SIGURACIONIN E DETYRUESHËM TË MAKINËS (TPL)?

ÇFARË NDODH NËSE NUK KE SIGURACIONIN E DETYRUESHËM TË MAKINËS (TPL)?

1. SIGURIMI I DETYRUESHEM I AUTOMJETEVE (TPL)?

Sigurimi i mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta TPL është sigurim i detyrueshëm dhe i ofrohet mbajtësit të mjetit motorik, që qarkullojne brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Siguruesi merr përsipër përgjegjësinë civile të të Siguruarit, ndaj palëve të treta, kur ai përfshihet në një aksident dhe është përgjegjës për dëme materiale, pasurore dhe/apo shëndetësore, në bazë të Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

2. ÇFARË MBULON SIGURIMI I DETYRUESHËM I MJETIT MOTORIK?

Sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorrik mbulon dëmet që i shkaktohen palëve të treta gjatë përdorimit të mjetit motorrik me pasojë dëmtime të pronës, dëmtime trupore dhe përkeqësimin e shëndetit dhe humbjen e jetës.

Sigurimi mbulon edhe dëmet ndaj personit dhe pronës qe mund tu shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve dhe personave të tjetë që lëvizin në rrugë, vetë strukturave të rrugës dhe pasurive përreth si psh. koshi i plehrave, shtyllat, dyqanet etj).

3. LIMITET E PËRGJEGJËSISË

Sigurimi TPL është sigurim përgjegjësie dhe sigurim solidar, që ka për qëllim që të paguajë dëmet që shkaktohen të tretëve nga pakujdesia e drejtuesit të mjetit ose problemet në rrugë.

Duhet dalë e qartë se çfarë rrezikohet nga mungesa e një sigurimi TPL.

 Gjoba që vendoset nga policia është gjëja më minimale që mund të ndodhë në rast mospajisje me TPL (20 000 leke deri ne 40 000 leke).

Për një autoveturë, pronari/drejtuesi i mjetit rrezikon deri në 55 milionë lekë të reja pagesë dëmesh, që do ti kërkohen nga kompania përgjegjëse e sigurimit që ka paguar të demtuarit.

Për një furgon apo autobus për transport pasagjerësh, rrezikon deri në 150 milionë lekë pagesë dëmesh.

Për kamionë që tranportojnë lëndë të rrezikshme, rrezikon deri në 200 milionë lekë pagesë dëmesh.

4. A ËSHTË E NDALUAR TË QARKULLOJMË PA QENË TË SIGURUAR?

Mjetet motorike nuk mund të qarkullojnë në rrugë dhe vende publike, pa qenë të siguruara . Sipas normave të dispozitave në fuqi për përgjegjësinë civile ndaj të tretëve.

Cilido që qarkullon pa qenë i siguruar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë si dhe është i detyruar të paguajë të gjithë dëmet e shkaktuara gjatë përdorimit te mjetit motorrik.

5. A MBULOHEN VETËM DËMET E NDODHURA NGA AKSIDENTET NË SHQIPËRI?

Jo vetëm në territorin e Republikës të Shqipërisë, por edhe në territorin e Republikës te Kosovës, kjo e fundit sipas marrëveshjes ndërmjet dy shteteve.

6. NËSE NË NJË AKSIDENT KA DISA TË DËMTUAR, A MBULOHET DHE VETË I SIGURUARI?

TPL mbulon dëmet e pasagjerëve të dy mjeteve si dhe dëmet e drejtuesit të mjetit përfitues, por nuk mbulon dëmet e shkaktuara drejtuesit të mjetit shkaktar të aksidentit.

7. NË CILAT RASTE KONTRATA E SIGURIMIT TE DETYRUESHËM NUK MBULON TË SIGURUARIN?

TPL nuk mbulon dëmet kur drejtuesi nuk ka patentën e duhur për mjetin që po drejton.  P.sh, nëse me Patentë të Klasit B drejton një autobus.

Kjo i jep të drejtën shoqërisë të sigurimit pasi ka paguar dëmin ndaj palës të tretë të dëmtuar ti drejtohet shkaktarit të dëmit për kthimin e shumës dëmit të paguar plus interesa e shpenzime.

E njëjta gjë ndodh, kur drejtuesi i mjetit drejton mjetin nën ndikimin e alkolit, lëndëve narkotike apo psikoaktive, në momentin e aksidentit, është pa leje drejtimi (patentë), përdor mjetin jo sipas destinacionit të tij, shkakton dëmin qëllimisht, aksidenti ndodh për shkak të defekteve teknike të mjetit, për të cilat drejtuesi ka qenë në dijeni.

Në rast të humbjes së të drejtave që rrjedhin nga kontrata MTPL, siguruesi që ka paguar palën e dëmtuar legjitimohet që ti kërkojë shkaktarit (pronarit/drejtuesit përgjegjës) të gjithë vlerën e dëmshpërblimit të pagaur.

8. NËSE PËSON DËMTIME AKSIDENTALE NGA NJË MJET I PASIGURUAR PËRFITON DËMSHPËRBLIM?

Nëse dëmtoheni nga një drejtues mjeti motorrik i pasiguruar me kontratën e sigurimit të detyrueshëm, ju përfitoni dëmshpërblim nga Fondi i Kompensimit.

Fondi i Kompensimit ka për qëllim pagesën e dëmeve ndaj pronës dhe ndaj personit, të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë për:

  1. a) dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të pasiguruara dhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të paidentifikuara, përjashtuar rastet për të cilat i dëmtuari dëmshpërblehet drejtpërdrejt nga shoqëria e sigurimit;
  2. b) pagesën e dëmshpërblimit ndaj pasagjerit në rastet kur pronari i një mjeti motorik në transportin publik nuk ka lidhur kontratë për sigurimin e pasagjerëve;
  3. c) rastet e likuidimit apo falimentimit të shoqërisë së sigurimit.

9. CILAT JANË RASTET KUR DËMTOHEMI NGA NJË DREJTUES MJETI I PASIGURUAR DHE DËMSHPERBLEHEMI DREJTPËRDREJT NGA SHOQËRIA E SIGURIMIT?

Shoqëritë e sigurimit kryejnë funksionet e entit kompensues si sigurues i drejtpërdrejtë i palës së tretë të dëmtuar për trajtimin dhe pagesën e dëmeve ndaj pronës apo ndaj personit të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë për:

  1. a) dëmet ndaj pronës dhe/ose personit që ndodhet në mjetin motorik të siguruar, shkaktuar nga mjeti motorik i pasiguruar, si dhe/ose personave që ndodhen në mjetin motorik të pasiguruar;
  2. b) dëme ndaj personit që ndodhet në mjetin motorik të siguruar, shkaktuar nga mjeti motorik i paidentifikuar.

10. KUJT DUHET TI DREJTOHEMI ME KËRKESË PËR DËMSHPËRBLIM NË RAST AKSIDENTI?

Pala e dëmtuar ka të drejtë që të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi përgjegjës i pronarit të mjetit shkaktar aksidenti. Kërkesa për dëmshpërblim mund të paraqitet me shkrim ose në rrugë elektronike. Kërkesa për dëmshpërblim përfshin dëmshpërblimin e dëmeve ndaj pronës dhe/ose ndaj personit sipas kontratës së sigurimit.

Siguruesi përgjegjës është i detyruar të trajtojë çdo kërkesë për dëmshpërblim brenda afateve të mëposhtme:

a) për dëme ndaj personit brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e depozitimit të kërkesës për dëmshpërblim;

b) për dëme ndaj pronës brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e depozitimit të kërkesës për dëmshpërblim

11. A KEMI DETYRIM PËR TA MBAJTUR GJITHMONË ME VETE POLICËN E SIGURIMIT TE DETYRUESHËM?

Pronari/përdoruesi i mjetit të transportit gjatë përdorimit të tij është i detyruar të mbajë me vete policën e sigurimit ose ndonjë provë tjetër të lidhjes së kontratës së sigurimit të detyrueshëm, si dhe Raportin Europian të Aksidenteve.  

ÇFARË ËSHTË RAPORTI EUROPIAN I AKSIDENTEVE “REA”?

Drejtuesit e mjeteve të përfshirë në një aksident rrugor, për dëmet ndaj pronës të cilët ata vlerësojnë se janë deri në shumën 30, 000 (tridhjetë mijë) lekë dhe nëse bien dakord, duhet të plotësojnë, të nënshkruajnë dhe të shkëmbejnë Raportin Europian të Aksidenteve.

Çfarë duhet të kenë parasysh drejtuesit e mjeteve?

  • Të mos lëvizin mjetet nga vendi i ngjarjes.
  • Të fotografojnë mjetet në vendngjarje.
  • Të plotësojnë sakte formularin REA.
  • Të paraqesin kërkesën për dëmshpërblim jo më larg se 5 ditë nga ngjarja
  • Raporti i nënshkruar nga të dy drejtuesit e mjeteve nënkupton që ngjarja (aksidenti) ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular, përveç rastit kur vërtetohet ndryshe nga shoqëria e sigurimit.

Raporti i plotësuar dhe i nënshkruar i bashkëlidhet kërkesës për dëmshpërblim, e cila trajtohet dhe paguhet nga shoqëria e sigurimit brenda 14 ditëve nga dorëzimi i kërkesës.

23% e mjeteve të pasiguruara, dëmet prej tyre në rritje

Në Shqipëri është një numër i lartë i mjeteve të pasiguruara, fakt që vështirëson edhe aplikimin e sistemit “bonus-malus” për sigurimin TPL.

Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në fund të vitit 2021 numri i automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri, ishte rreth 741 mijë. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të njëjtin vit kompanitë e sigurimeve raportuan 568 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta.

Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se më pak se 77% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike.

23% e totalit, ose rreth 173 mijë mjete, rezultojnë të pasiguruara. Shifra në vetvete është shumë e lartë dhe përfaqëson një vlerësim maksimal, pasi me shumë mundësi një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht.

Si mund të flitet ende në vitin 2022 për automjete që lëvizin të pasiguruara? Ku është policia e shtetit, e cila ka detyrim të kontrollojë çdo automjet që të mos qarkullojë pa siguracionin e detyrueshëm?

Si mund të flitet për drejtues mjetesh që sigurojnë makinën nga frika e policit në rrugë dhe nuk sigurojnë shëndetin e tyre?

Madje edhe siguracioni “TPL”, që shumë individë e konsiderojnë “taksë”, dhe harrojmë që ajo është një kontratë sigurimi, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit ndaj palëve të treta. Ato materiale dhe ato shëndetësore mbi të gjitha.

Exit mobile version