Aktualitet

Banka e Shqipërisë: Emigrantët sollën në Shqipëri 510 milionë euro në 6 muaj

Paratë që emigrantët sjellin te të afërmit e tyre kanë shënuar një rekord historik, të paktën që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat nga Banka e Shqipërisë.

Sipas Bankës, në 6 mujorin e parë të vitit, dërgesat e emigrantëve arrijnë në vlerat 510 milionë euro, me një rrije prej 14.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Që prej vitit 2011, paratë që emigrantët dërgojnë te të afërmit e tyre në Shqipëri kanë shënuar rritje të vazhdueshme, duke reflektuar gjallërimin e një vale të re emigracioni, që nisi pas vitit 2018.

Vala e mëparshme, kulmoi në 2009 dhe pas atij viti dërgesat filluan të binin vazhdimisht, duke reflektuar largimin gradual të emigrantëve nga vendi mëmë që zakonisht ndodh pas 15-20 viteve, teksa ata krijojnë familjet e tyre dhe i shkëpusin gradualisht lidhjet me vendin mëmë.

Por, që nga viti 2017, remitancat filluan sërish rritjen, në linjë me ciklin e ri të emigracionit (në vitin 2016 u shënua dhe një nivel rekord i kërkesave për azil në rreth 60 mijë). Pas një reduktimi deri në 2020-n, i ndikuar dhe nga pandemia, 2022-shi shënoi një kulm të ri emigracioni, ku kërkesat për azil i kërkuan 30 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve në Mbretërinë e Bashkuar. Në 2023-2024, tendenca e aplikimeve për azil ka ardhur në rënie, por largimet vijojnë bazuar në kontratat e punës, ose teksa të ikurit e rinj tërheqin të afërmit e miqtë e tyre.

Në kanalet e reja në vitet e fundit, krahas atyre tradicionale si Italia e Greqia ishin dhe Franca, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar. Burime nga operatorët vendas të transferimit të parave thanë se Gjermania dhe Anglia janë korridore të reja, në raport me tradicionalet, dhe kanë një ecuri më të mirë në trendin e dërgimit të parave tek të afërmit e tyre në Shqipëri.

Të dhënat e fundit të censit 2023 gjetën se popullsia e Shqipërisë zbriti në 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë banorë më pak sesa Censi 2011, e ndikuar kryesisht nga ritmet e larta të emigrimit. Edhe sipas Eurostat, që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat më të hershme të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë./Monitor

Exit mobile version