Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit përsëri në muajin Prill të këtij viti, duke arritur nivelin më të lartë historik.Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues shënoi nivelin 114.6, me rritje prej 1.1 pikësh në krahasim me muajin Mars dhe duke qëndruar 14.6 pikë mbi mesataren afatgjatë. Ky nivel u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë, si dhe nga përmirësimi i besimit konsumator. Banka Qendrore nënvizon se treguesi i besimit të industrisë u rrit me 3.8% në Prill, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Ndër të tjera pritshmëritë e bizneseve të këtij sektori për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë rritur. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit në tregti u rrit me 1.2 % në Prill, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit. Edhe pritshmëritë për punësimin u rritën këtë muaj, madje në një shkallë më të lartë se komponenti i pare dhe niveli aktual qëndron rreth 12.4% mbi mesataren historike. I vetmi tregues që shënoi rënie ishte ai i besimit në shërbime, që ra me 1.6% në muajin Prill sipas Bankës së Shqipërisë. Ndërsa treguesi i besimit konsumator vijoi prirjen disamujore rritëse, duke u rritur me 2.1% muajin që lamë pas dhe niveli i tij aktual ka kaluar me 2.2% mesataren historike.