Aktualitet

Dëmet pezull nga Kartoni Jeshil arrijnë në 11.7 mln euro, Byroja e Sigurimeve nuk ka ende një vendim për policën dixhitale

Në fund të vitit 2022, Byroja Shqiptare e Sigurimeve doli pas gati 10 vitesh nga statusi i monitorimit, ku ishte vendosur prej Këshillit të Byrove.

Vendosja në monitorim ndodhi në vitin 2013, për shkak të rritjes së numrit të thirrjeve të garancive ndër vite, numrit të konsiderueshëm të pazgjidhur të kërkesave për dëmshpërblim, dështimit në ndjekjen e rregullave të brendshme në lidhje me emërimin e korrespondentëve, mospjesëmarrjen e Byrosë në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme dhe takimeve rajonale, si dhe ndryshimeve të vazhdueshme të drejtuesve të Byrosë.

Këshilli i Byrove (the Green Card Bureaux) menaxhon sistemin e kartonit jeshil dhe koordinon aktivitetet e 47 vendeve të Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, duke garantuar që një i dëmtuar në një aksident rrugor, të shkaktuar nga një automjet i huaj (nga një vend tjetër pjesëmarrës) do të dëmshpërblehet në vendin e aksidentit.

Byroja e vendit të aksidentit, më pas, mund të rimarrë të gjitha kompensimet e paguara nga Byroja e vendit nga ka origjinën automjeti përgjegjës. Byroja Shqiptare e Sigurimit është përfaqësuese e Shqipërisë në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia në sistemin e kartonit jeshil. Në bazë të ligjit 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, mbikëqyrja e Byrosë kryhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Megjithatë, në vitin 2022, pas kërkesës së Byrosë për vlerësimin e situatës së saj, Këshilli i Byrove rekomandoi ndërmarrjen e disa ndryshimeve që kishin të bënin kryesisht me profilin e rrezikut të BSSH, sistemin e trajtimit të dëmeve, performancën e Byrosë, kapacitetin garantues, kërkesat për rimbursim, etj. Të gjitha këto kërkesa u adresuan në ndryshimet e parashikuara në ligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Ndërkohë, verën e kaluar Këshilli i Byrove i është drejtuar me një letër të gjitha Byrove anëtare, ku kërkonte një konfirmim lidhur me faktin nëse secila prej tyre ishte e gatshme të lëshonte dhe pranonte policën e Kartonit Jeshil në format elektronik. Sipas burimeve nga tregu, Byroja e Sigurimeve ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Ndërkohë, sipas letrës së Këshillit të Byrove, afati i fundit për pranimin e policës dixhitale në PDF nga të gjithë anëtarët është vendosur data 1 janar 2025.

Ndërkohë, të dhënat më të fundit tregojnë se vlerat e dëmeve pezull të kompanive shqiptare të konsiderueshme. Sipas informacionit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve, në fund të vitit 2023 numëroheshin gjithsej 1143 dëme pezull të Kartonit Jeshil, me një vlerë totale prej 11.7 milionë eurosh.

Dëmet pezull përfshijnë ato në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore./Monitor

Exit mobile version