Për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadorja Yuri Kim priti një grup gazetarësh dhe përfaqësues OJQ-sh që punojnë për çështjet e medias në Shqipëri. Ajo theksoi se një shtyp i lirë dhe i pavarur është thelbësor për demokracinë dhe se është e rëndësishme që gazetarët të bëjnë pyetje të vështira. Ajo i nxiti që t’i përcjellin brezit të ri të gazetarëve mësimet që kanë marrë për të qenë të fortë dhe të guximshëm. “Shpresoj se nuk do ta nënvlerësoni kurrë rëndësinë e asaj që po bëni. Shpresoj se do të vazhdoni të bëni atë që po bëni”, u tha gazetarëve ambasadorja Kim. Pjesëmarrësit diskutuan sfidat me të cilat përballen, duke përfshirë mungesën e qasjes në informacion, pasigurinë në punë dhe mungesën e transparencës financiare nga institucionet publike dhe organizatat mediatike.
3 Maji njihet në të gjithë botën si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Kjo ditë është caktuar që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në Shqipwri kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme. Kjo datë është një kujtesë për qeveritë për të respektuar angazhimin e tyre për lirinë e shtypit dhe të medias. Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë reflektimi për gazetarët dhe aktorët e tjerë mediatikë mbi sfidat e tyre për të garantuar lirinë e shtypit por edhe për të siguruar një gazetari etike dhe profesionale. Po aq me rëndësi, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë për të treguar përkrahjen për mediat të cilat janë objekt i kufizimeve, apo eliminimit, në përpjekjet e tyre për të arritur lirinë e shtypit. 3 Maji gjithashtu është një ditë mirënjohjeje për gazetarët të cilët kanë qenë të kërcënuar, të sulmuar dhe për ata të cilët kanë humbur jetën e tyre duke ndjekur një lajm.