Përmes një interviste me Z. Elton Korbin, Drejtor i Përgjithshëm pranë Albsig Invest, do të zbulojmë avantazhet e çmuara të një fondi pensioni privat. Së bashku, do të hedhim dritë mbi domethënien e fondeve private të pensionit dhe çfarë ndikimi afatgjatë ka ky fond në aspektin e sigurisë financiare dhe planifikimit të pensionit në Shqipëri.
Elton Korbi është ekspert në sektorin bankar ku ka punuar prej shumë vitesh në Bankën e Shqipërisë dhe atë Kombëtare të Greqisë. Ndërsa që prej vitit 2019, ai është Administrator i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese të Fondeve të Pensionit dhe Fondeve të Investimit, Albsig Invest sh.a. Së fundmi, Z. Korbi u zgjodh edhe President i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investiemeve (SHSJPFI) ku në këtë rol do të përfaqësojë zërin e anëtarëve për çështjet e ndërgjegjësimit dhe promovimit të interesit më të mirë të SHSJPFI-së dhe anëtarëve të saj.
Fondi privat është një koncept jo aq i ri në tregun shqiptar e megjithatë, për shumë njerëz mbetet ende i paqartë dhe i huaj si koncept. Si do e përshkruanit ju me fjalë të thjeshta fondin privat?
Një fond pensioni privat është një grupim asetesh të investuara nga kontributet e anëtarëve në fond. Anëtarët e fondit kontribuojnë në mënyrë periodike dhe Shoqëria Administruese Albsig Invest investon këto kontribute sipas një politike investimi. Kjo politikë përcaktohet me hapjen e fondit dhe normalisht nuk ndryshon, pasi individët, kur kontribuojnë në fond bien dakord që kontributet e tyre të investohen në llojet e aseteve që paracaktohet për atë fond. Për shembull, Fondet e Pensionit Privat që Albsig Invest administron, investojnë vetëm në obligacione të Shtetit Shqiptar. Gjatë gjithë ecurisë së tij fondi do investojë vetëm në këto lloj asetesh. Në periudhat e ardhshme Albsig Invest mund të hapë një fond pensioni privat që investon në obligacione të kompanive private apo aksione, por që kanë një rrezik më të lartë se fondet aktuale të pensionit që menaxhojmë, si rrjedhojë edhe interes priten të jenë më të larta. Një fond pensioni privat i jep mundësinë individëve që të investojnë kursimet e tyre periodike, me idenë e kursimit deri në vitet e pensionit, kur më pas merren si këste mujore së bashku me interesin e fituar përgjatë viteve. Anëtarët e fondit janë pronarët e fondit sepse në fakt ata blejnë kuota sa herë që kontribuojnë në fond. Ata zotërojnë bashkërisht fondin, në varësi të shumave që kanë kontribuar përgjatë viteve.
Duke menduar që një punonjës ose dikush që zotëron një biznes, përgjatë viteve të punës ka paguar kontributet në shtet dhe do të marrë nje pension nga shteti, për çfarë nevojitet edhe nje fond privat pensioni?
Fondet e pensionit privat janë ngritur pasi skemat shtetërore e pensioneve në Shqipëri por edhe në botë (pay-as-you-go) nuk arrin të gjenerojë një pension të kënaqshëm për individët. Ky problem është shumë thelbësor sidomos në një epokë kur brezat që dalin në pension kanë më shumë kërkesa për jetën sesa brezat e mëparshëm. Zhvillimet e pafavorshme në dinamikat e popullsisë në Shqipëri dhe Evropë, po bën që baza e individëve që do duhet të jetojnë me pension të jetë përherë e më e lartë. Kjo shkakton pasiguri dhe pamjaftueshmëri nga ana financiare. Ndërsa, fondi i pensionit privat mundëson që paratë që ke kursyer gjatë viteve, duke investuar në atë fond, të të kthehen si një pagesë pensionit shtesë, së bashku me interesat e fituar përgjatë viteve të kontributit në fond. Pra, thënë me fjalë të thjeshta, ai investim i vogël, i përmuajshëm që ju mund të bëni në fond, do t’ju kthehet në një siguri të shtuar përgjatë viteve që do të keni më shumë nevojë për të ardhura plotësuese, që është mosha e pensionit.
Çfarë avantazhesh ka një fond privat pensioni që e bën atë një zgjedhje të sigurt dhe me leverdi?
Fondet e pensionit privat rregullohen nga një ligj i posaçëm së bashku me rregulloret përkatëse. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është institucioni i cili licencon dhe mbikëqyr këtë treg. Pra, është një aktivitet i licencuar dhe i mbikëqyrur. Investimi në fondin privat është pozitiv për disa arsye: 1) kontributet e kryera në fond janë të zbritshme në deklarimin e tatimit mbi të ardhurat personale, 2) interesi që fitojnë asetet e fondit gjithashtu, nuk tatohen. Në këtë mënyrë e ardhura e fondit ri-investohen si shumë e pa-tatuar, duke krijuar fitim më të madh në balancat përfundimtare, që përkthehet në interesin e përbërë, 3) shuma e akumuluar në fondin e pensionit privat janë të trashëgueshme, 4) fondet ofrojnë diversifikimin të investimeve që do të thotë më shumë siguri. Këto janë disa prej arsyeve përse ky konsiderohet një investim i sigurt për këdo që ka nisur të mendojë për sigurimin e të ardhurave për një moshë kur gjenerimi i tyre do të jetë më i limituar.
Nëse dikush vendos të bëhet kontribues në fondin privat të pensionit, si mund të bëhet pjesë dhe çfarë kushtesh kontraktuale ka?
Individët e interesuar mund të paraqiten pranë zyrave të Albsig Invest, vetëm me një kartë identiteti (ID) apo pasaportë dhe të kërkojnë të lidhin një kontratë për fond pensioni privat, pa asnjë kosto. Anëtarësimi në fond pensioni privat është vullnetar dhe si i tillë anëtari paguan sa herë të dojë dhe në shumën që dëshiron. Anëtarësimi në fond pensioni privat nuk shoqërohet me ndonjë kosto shtesë. Për informacione të detajuara apo për të përllogaritur sa dalin këstet e pensionit në varësi të vlerës që kontribuoni, mund të vizitoni faqen https://www.albsiginvest.al. Një ndër kushtet më të rëndësishme të kontratës është tërheqja e shumës së akumuluar. Anëtarët mund të tërhiqen nga fondi pa penalitet 5 vjet para moshës ligjore të pensionit, në moshën e pensionit apo kur ka paaftësi të përhershme në punë. Megjithatë, ligji lejon edhe tërheqjen e parakohshme, por ka vendosur penalitete. Këto penalitete janë standard në të gjithë legjislacionet nëpër botë dhe janë vendosur në të mirë të anëtarëve, për të dekurajuar tërheqjen e parave dhe për t’i lënë ato para në fond që të përmbushin qëllimin që kanë. Këto fonde janë të kursyera për pension, në një moshë dhe kohë të cilat do nevojiten më shumë se çdo herë tjetër.
Duke patur parasysh që kushdo që jep para nga kursimet e veta, do të jetë sa më i sigurt se ku po i investon ato para, sa i sigurt është nje fond pensioni privat?
Çdo fond investon vetëm sipas një politike të caktuar investimi që paraqitet në Prospektin e fondit. Me politikë investimi kuptojmë se ku do investohen kontributet e anëtareve. Obligacionet qeveritare, në të cilat investojnë fondet e pensionit privat që Albsig Invest administron, janë me rrezikun më të ulët se investimet e tjera të tregut të kapitalit. Duke qenë se fondet investohen vetëm në obligacione shtetërore, atëherë garancia financiare është e lartë. Po ashtu kontributet derdhen pranë një banke tregtare në Shqipëri që luan rolin e depozitarit dhe kujdestarit të investimeve. Në këtë kuptim, fondit të pensionit privat i jepet edhe një siguri operacionale dhe financiare për përdorimin e drejtë të fondeve.
Prej sa vitesh operon në treg Albsig Invest?
Albsig Invest është licencuar si shoqëri administruese ne nëntor të vitit 2019 dhe ka filluar aktivitetin e fondeve në shkurt 2020. Aktualisht Albsig Invest administron dy fonde pensioni privat dhe një fond investimi. Mund të themi me krenari që Albsig Invest në shumë pak kohe ka arritur të sigurojë një shërbim shumë cilësor dhe çka është më e rëndësishme fonde me kosto shumë të ulët dhe kthime neto për anëtarët në nivelet më të larta në treg.
Sikurse e dimë, kompanitë bashkëkohore ofrojnë benefite të ndryshme për punonjësit ku ndër të tjera janë kartat e shëndetit apo mundësia për të hapur një fond privat të pensionit. A e ofron Albsig Invest këtë shërbim për kompanitë dhe si funksionon?
Çdo kompani që dëshiron t’u japë një përfitim shtesë punonjësve mund të bëhet pjesë në skemat e pensionit privat. Nuk ka asnjë kufizim në numër punonjësish apo tregues të tjerë në mënyrë që të mund ta aplikojë këtë përfitim për drejtuesit dhe punonjësit. Për më tepër që kompanitë kanë një përfitim shtesë nëse bëhen pjesë e fondit të pensionit dhe anëtarësojnë punonjësit e tyre. Anëtarësimi në fondet e pensionit privat mund të bëhet me kontribute vetëm të kompanisë apo me kontribute të përbashkëta ndërmjet kompanisë dhe punonjësit, kjo në varësi të qëllimit dhe buxhetit. Procedura është mjaft e thjeshtë, mjafton të lidhet një kontratë me kompaninë për kryerjen e kontributeve në emër të punonjësve ku dhe punonjësit i kërkohet ose jo të kontribuojë gjithashtu në fondin e pensionit. Albsig Invest hap një llogari, pa asnjë kosto, në emër të punonjësit ku dhe derdhen kontributet e bëra në emër të tij/saj nga kompania apo bashkërisht kompani-punonjës
A ka shume individë që kanë lidhur kontrata për këtë lloj fondi aktualisht? Si është trendi në Shqipëri, krahasuar me botën, Europën ose Rajonin.
Nëpër fondet e pensionit privat të administruara në Shqipëri janë deri më tani të anëtarësuar rreth 38 mijë anëtarë që vijnë si individë që kontribuojnë për një fond pensioni privat apo si punonjës në një kompani që kontribuojnë bashkërisht me kompaninë. Megjithatë, duhet theksuar se numri i individëve të regjistruar si forcë pune në Shqipëri është mbi 700 mijë. Pra, vërehet një pjesëmarrje shumë e ulet nëpër këto skema kursimi private. Megjithëse tendenca e pjesëmarrjes është rritës nga viti në vit. Fondet e pensionit privat kanë shumë vite që aplikohen në BE dhe në disa vende të rajonit dhe shifrat e larta të pjesëmarrjes në këto fondesh janë tregues se janë vërtet të nevojshme dhe të vlefshme për të garantuar disa të ardhura shtesë përgjatë moshës së tretë.