Gjoba për ata që hedhin fishekzjarre në festa private si për familjarët ashtu dhe për institucionet. Kjo është masa e marë nga subjektet përkatëse për marëvajtjen e festive. Hedhja e fishekzjarreve nga subjektet private dhe qytetarët për festa private tashmë do të ndëshkohet me gjobë nga 200 deri në 400 mijë Lekë.
Kështu parashikohet në marrëveshjen e firmosur këtë të mërkurë mes 3 ministrive, asaj të Brendshme, Mjedisit dhe Turizmit si dhe Shëndetësisë.
Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se kjo marrëveshje parashikon përcaktimin e nivelit të çdo lloj zhurme, për të cilat do ngarkohet për t’i inspektuar Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake.
“Policia e Shtetit bashkë me policitë bashkiake si autoritete për zbatimin e këtij udhëzimi, do ushtrojnë kontrolle për çdo burim të zhurmës, përfshirë edhe këto të fishekzjarreve, por burim zhurme për të gjitha definicionet, dhe do të ndëshkojnë me gjobë këdo, qoftë operatorë privatë ekonomik, qoftë institucion shtetëror nëse do ndodhë, që shkel masat e mbrojtjes nga zhurma”.tha Balla.
Me ligjin në fuqi përdorimi i mjeteve piroteknike lejohet vetëm gjatë festave të fundvitit, konkretisht prej datës 27 Dhjetor deri më 1 Janar.