Gripi vijon të qarkullojë agresivisht në popullatë me simptoma që zgjasin deri në dy javë.
Xhentiljana Nazaj, mjeke: Shenjat janë tipike të gripit, tek disa persona temperatura shumë e lartë dhe ndonjëherë edhe e padominueshme nga antiflamatorët që ne përdorim për ulje temperature. Kjo zgjat 3-5 ditë dhe pastaj shoqërohet me kollën që fillon si e thatë dhe pastaj fillon me sekrecione, dhimbje trupi, vështirësi në gëlltitje, dhe ndonjëherë shoqërohet me të vjella dhe diarre. Vihet re që kemi një zgjatje të simptomave të gripit. Kryesisht kolla që zgjat 10-15 ditë. Po ashtu edhe infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore.
Sipas mjekëve, përveç shtamit të virusit, agresiviteti i gripit tek disa pacientë lidhet edhe me mënyrën e trajtimit dhe neglizhimin e shenjave të para.
“Tek mosha aktive viroza është më e zgjatur. Kam vëne re që ka qenë e rëndësishme mënyra e trajtimit që në fazat e para, ditët e para, pra ata që janë trajtuar dhe kanë mbajtur regjim që ditët e para e kanë kaluar më lehtë”, tha mjekja.
Infeksionet respiratore kanë zbritur në 16 mijë raste në javë, nga 17 mijë që ishin para dy javësh.
Sipas ekspertëve të ISHP-së, vendi e ka kaluar pikun e gripit dhe situata paraqitet e qëndrueshme duke u shoqëruar me ulje të numrit të infeksioneve respiratore. Qytetet me numrin më të larët të prekurve me grip janë Gjirokastra, Tirana, Gramshi, Fieri dhe Durrësi.