Aktualitet

Heqje licence dhe gjobë deri në 25 mijë euro: Qeveria miraton draftin për resortet që derdhin ujërat e zeza në det

Ndërtimet masive përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë kanë krijuar një situatë mjedisore alarmante. Qindra resorte dhe fshatra turistikë, që janë ndërtuar nga Shkodra në Sarandë shkarkojnë ujërat e zeza në det duke ndotur me shpejtësi plazhet shqiptare.

Qeveria është kujtuar për situatën alarmante duke miratuar me procedurë emergjente një ligj, i cili detyron të gjithë ata të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në zonat bregdetare të instalojnë impiante për trajtimin e ujërave.

“Subjektet që zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas nenit 2, të këtij akti normativ, në zonat bregdetare ose në bregun e liqeneve e të lumenjve kanë detyrimin që, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, të vendosin impiantin ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura, sipas  rregullores teknike,” thuhet në Aktin Normativ të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Detyrimi për vendosjen e impantit bie mbi të gjitha subjektet të cilat ushtrojnë aktivitetet ekonomik në brigjet e deteve, liqeneve dhe lumenjve, duke përfshirë bujtinat, hotelet, agroturizmet, restorantet, kampingjet, komplekset dhe fshatrat turistikë.

“Subjektet, të cilat i shkarkojnë ujërat e ndotura në gropa septike, detyrohen të marrin masat për zëvendësimin e tyre me impiant ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura,” thuhet në ligj. Resortet, fshatrat apo objektet që janë në fazë ndërtimi në zonat bregdetare apo brigjet e liqeneve dhe lumenjve nuk do të pajisen me çertifikatë përdorimi pa instaluar më parë impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura.

Gjoba, heqje liçence dhe refuzim lejesh

Për të mbikqyrur zbatimin e këtij detyrimi, qeveria ka vendosur të ngrejë një Task Forcë të posaçme. Kjo njësi do të verifikojë në terren çdo objekt apo kompleks objektesh në zonat brendetare nëse kanë të instaluar impiantin apo sistemin e trajtimit të ujërave të ndotura.

Ata të cilët kapen në shkelje do të gjobiten me një gjobë që varion nga 15 mijë euro për objektet e vogla deri në 25 mijë euro për komplekset dhe fshatrat turistikë. Pas marrjes së gjobës, subjektet në shkelje kanë 60 ditë kohë për të përmbushur detyrimin e impantit.

Nëse pas këtij afati nuk e kanë plotësuar këtë detyrim, atëherë gjobiten sërish, por këtë herë me një gjobë dyfish më të lartë se e para. Gjobat e vendosura nga Task Forca do të konsiderohen si titull ekzekutiv dhe ekzekutohen menjëherë përmes shërbimit përmbarimor.

Por masat ndëshkimore mund të ashpërsohen edhe më shumë, nëse subjektet nuk e zbatojnë detyrimin e impianteve deri në fund të sezonit turistik.

“Task Forca, me përfundimin e sezonit turistik, i propozon institucioneve përgjegjëse për marrjen e masave për  heqjen e licencës, lejes ose autorizimit, për kryerjen e veprimtarisë ekonomike ndaj të gjitha subjekteve, të cilat nuk kanë plotësuar standardet për trajtimin e ujërave të ndotura edhe pas marrjes së masës administrative,” thuhet në ligj.

Ndërsa për zhvilluesit apo ndërtuesit e fshatrave turistikë, të cilët nuk instalojnë impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura parashikohet përjashtim nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 (pesë) vjet.

Exit mobile version