Aktualitet

Konkurrimi për licencat e reja, 242 mësuesit e rinj që testohen për gjermanishten, italishten dhe frëngjishten

Konkurrimi për licencat e reja në arsim do të vijojë përgjatë ditës së nesërme me kandidatët e gjuhëve të huaja. Do të jenë fillimisht praktikantët e rinj të mësuesisë për lëndën e gjuhës gjermane që do t’i drejtohen Qendrës së Shërbimeve të Arsimit për të plotësuar testin e informatizuar, për të vijuar me pas me ata të gjuhës italiane, si dhe asaj frënge. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë listën zyrtare të 242 kandidatëve që do të testohen në këto profile lëndore në datat 27 dhe 28 prill. Provimi i informatizuar do të zhvillohet me katër turne gjatë secilës ditë, çka do të thotë se mësuesit e rinj duhet të jenë të kujdesshëm dhe të paraqiten për të plotësuar testin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për ta. Në të kundërt nuk do të lejohen që të konkurrojnë në këtë sezon për licencën. Për secilin kandidat që është pjesë e listës së shpallur, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka përcaktuar datën dhe orarin se kur duhet të paraqiten në ambientet e këtij institucioni për të zhvilluar provimin, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit. Provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së gjuhës përkatëse në të cilën kandidati testohet, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën profesionale. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës.

Exit mobile version