Teksa punimet për Unazën e Tiranës vijojnë në disa lote të saj në bazë të procedurave të prokuruar më herët duket se një tjetër tender është hapur për plotësim, rakordim e vazhdim punimesh mbi tenderin ekzistues.
Bëhet fjalë për kontratën me objekt “Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja Loti 3” që Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli këtë të martë.
Në total fondi limit për këtë procedurë është 468 milionë lekë apo më shumë se 4 milionë euro. Në dokumentet që shoqërojnë procedurën argumentohet se në thelb është inspektimi i veprave që përfshin ky aks si muret mbajtëse apo ura dhe analizimi i gjendjes gjeologjike të tokës mbi të cilën kalon ky aks. Në bazë të punimeve të deritanishme duket se procedura e radhës do të jetë riverifikimi i parametrave të shtesave gjeologjike pasi nga studimi i kryer ky lot kalon në shtesa të ndryshme nga njëra tjetra. “Ky Relacion Teknik, është hartuar për të kontrolluar aftësinë dhe qëndrueshmërinë e themeleve të strukturave, të dimensionuara dhe projektuara në zbatim të kontratës me titull “Rehabilitim i segment it rrugor, mbikalimi i “Pallatit me Shigjeta” – rrethrrotullimi “Shqiponja”, Loti 3”:, lidhur ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe “BOE “Victoria Invest International” & VICTORIA INVEST” sh.p.k. Projekti në fjalë shtrihet nga rreth rrotullimi “Shqiponja” dhe deri tek mbikalimi i “Pallatit me Shigjeta”. Ndërsa LOT 3, subjekt i këtij dokumenti, shtrihet përkatësisht nga nënkalimi i Astirit dhe deri tek mbikalimi i “Pallatit me Shigjeta. Pjesë e Projektit janë edhe strukturat ku mbështeten nënkalimet apo mbikalimet si edhe muret mbajtëse që shërbejnë për mbështetjen dhe lidhjen e niveletave me kuota të ndryshme. Në vijim jepen disa planimetri, për vendndodhjen e strukturave në LOT 3. Sipas eksperiencave më të mira inxhinierike, dhe nevojës për të rikonfirmuar vlerat e përftuara nga studimi Gjeologo-Inxhinierik të parametrave fiziko-mekanike të dherave, përpara çdo punimi të mëtejshëm gjeoteknik, rekomandojmë që të ri-verifikohen saktë parametrat e shtresave gjeologjike ekzistuese përkundrejt parametrave të shtresave të marra në projekt” thuhet në relacionin teknik që shoqëron procedurën. Ky i fundit shoqërohet edhe me listën e shënimeve teknike për çdo pjesë të rrugës si dhe një preventiv të zëvendësimit të materialeve për një rezultat më të mirë si dhe për durueshmëri të gjatë. Në Tiranë aktualisht është duke u punuar me disa kantiere për Unazën e Madhe. Tenderimet e fundit lidhur me disa prej loteve kryesore u bënë gjatë vitit 2021. Të paktën për 6 procedurat e shpallura në këtë vit vlera me të cilën u mbyllen këto tenderë ishte rreth 100 milionë euro.Monitor.