Tendenca e konsumit për produktet e shportës ushqimore parashikohet të jetë me rritje në vitin 2024, sipas përfaqësuesve të rrjetit të supermarketeve “Big Market”.
“Kërkesa për produktet e shportës ushqimore pritet të rritet. Historiku i rrjetit në treg ka treguar që çdo vit është rritur kërkesa për produktet e shportës dhe larmishmërinë e tyre.
Konsumatorët kanë më tepër kërkesa për produkte cilësore dhe janë më të kujdesshëm në përzgjedhjen e produkteve, duke nisur nga origjina, prodhimi, përmbajtja”.
Sipas rrjetit të supermarketeve “Big Market”, nuk pritet rritje e çmimeve te produktet e shportës në vitin 2024.
Ndërsa konsumi për disa produkte vendase pritet të jetë në rënie. Për operatorët prodhues, shkak kryesor i tkurrjes së konsumit mbetet strukturimi i popullatës nga largimi i të rinjve jashtë vendit.
Përfaqësuesit e kompanive parashikojnë njëzëri se edhe për këtë vit, shpresa e vetme mbetet sezoni turistik që, sipas tyre, pritet të sjellë sërish rritje të numrit të turistëve.
Konsumi pritet të ulet për produktet e bulmetit, ndonëse prodhuesit nuk pritet të shtrenjtojnë çmimet.
Taulant Pupa, administrator i fabrikës përpunuese “Vita 2001”, tha se gjatë vitit 2024, tendenca e konsumit për produktet e bulmetit nga qumështi i lopës do të jetë në rënie, për shkak të të rinjve që po largohen në emigracion.
“Nuk presim rritje konsumi gjatë vitit 2024, me përjashtim të sezonit turistik. Gjatë kësaj periudhe parashikojmë shtim të kërkesës veçanërisht nga restorantet dhe hotelet.
Në zonën e Korçës, gjatë stinës së verës pritet të ketë ndikim të kërkesës edhe nga mbajtja e kampionatit botëror Formula Uno në ujë, që do të zhvillohet në Pogradec, pasi pritet të jenë pjesëmarrëse shumë skuadra nga vende të ndryshme të botës”.
Z. Pupa theksoi se sezonin e kaluar turistik, shtimi i fluksit të turistëve të huaj rriti shitjet me 30% krahasuar me sezonin e 2022.
Edhe gjatë këtij viti, konsumatori do të priret të blejë produkte me çmime më të lira.
Për këtë arsye, përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, Saimir Begaj, parashikon rritje të konsumit për produktet e bulmetit nga qumështi i lopës, ndërsa për produktet nga qumështi i deles dhe dhisë, pritet të ketë rënie, pasi çmimet e tyre janë më të larta.
Për sa u përket çmimeve në vitin 2024, operatorët pohojnë se nuk pritet t’i ndryshojnë, pavarësisht se kostot do të rriten nga shtrenjtimi i çmimeve të lëndës së parë ndihmëse të paketimit, plastikës, që ka nisur të rritet që në muajt e fundit të vitit të kaluar në tregjet e huaja.
Për vitin 2024, konsumi për produktet e brumërave dhe ëmbëlsirave parashikohet në rënie.
Ali Devolli, administratori i rrjetit “Alna” të prodhimit të produkteve të brumit dhe ëmbëlsirave, pohon se konsumi pritet të ulet, për shkak të emigracionit dhe rritjes së çmimeve për produktet e tjera të shportës ushqimore.
“Pakësimi konsumit për produktet e brumit, duke përfshirë edhe atë të bukës dhe ëmbëlsirave nisi pas përfundimit të sezonit turistik. Tkurrja më e lartë e konsumit është tek ëmbëlsirat.
Edhe për vitin 2024 nuk presim përmirësim të konsumit. Arsyeja kryesore që konsumi do të vijojë të jetë në rënie mbetet emigracioni.
Faktor tjetër janë edhe çmimet e larta të produkteve të shportës ushqimore. Për pjesën dërrmuese të popullatës mbeten të papërballueshme për shkak të të ardhurave të ulëta. Kjo ka ndikuar te rënia e fuqisë blerëse”.
Z. Devolli thotë se nuk pritet që për 2024, çmimet të ndryshojnë për shitjen e bukës dhe të ëmbëlsirave, pasi shtrenjtimi i tyre do t’i jepte një tjetër goditje konsumit.
“Nuk parashikojmë rritje të çmimeve. Rënien e konsumit do ta amortizojmë te fitimet. Ndryshim çmimesh do të ketë vetëm nëse çmimi i miellit, që do shtrenjtohet mbi 100 lekë për kg. Në këtë rast, rritja e çmimeve do të ishte e pashmangshme”.
Kryetari i Shoqatës së Brumërave, Pastiçerive dhe Ëmbëlsirave, Gëzim Peshkopia, pohon se turizmi do të vazhdojë rritjen edhe në vitin 2024, duke sjellë për pasojë rritjen e konsumit, pasi shumica e furrave furnizojmë një pjesë të konsiderueshme të hoteleve.
Edhe prodhuesit vendas të pijeve alkoolike nuk presin rritje të kërkesës nga 2024, përjashtuar sezonin turistik. Denis Zhilla, nga kantina e pijeve alkoolike “Skënderbeu”, pohoi më herët se rënia e konsumit ka nisur që pas largimit të turistëve të huaj me përfundimin e sezonit turistik.
Shkak i rënies së konsumit mbeten çmimet e larta të pijeve alkoolike, por edhe të produkteve të tjera të shportës ushqimore.
Vazhdimin e rënies së konsumit gjatë 2024 e parashikojnë edhe prodhuesit vendas të birrës.
Sipas Enzo Panteqit, administrator i fabrikës së prodhimit të birrës “Stela”, shkak për rënien e kërkesës te birra vendase mbeten çmimet e larta krahasuar me birrat e importit që po zgjerohen në tregun shqiptar.
Industria shqiptare vuan kostot e larta të prodhimit nga dyfishimi i akcizës nga 1 janari 2023, çmimi i lartë i energjisë dhe kostot për fuqinë punëtore.
BARET DHE RESTORANTET DO TË RRISIN ÇMIMET PËR KAFENË DHE PIJET ALKOOLIKE, PRESIN RËNIE KONSUMI
Aktiviteti i bareve dhe restoranteve nuk pritet të përmirësohet në vitin 2024. Drejtuesit e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve pohojnë se shkaqet kryesore që do të ndikojnë te frenimi i zhvillimit të sektorit do të jenë mungesa e fuqisë punëtore, tendenca e rënies së konsumit, por edhe rritja e numrit të strukturave që do të mbyllen.
Enri Jahja parashikon se zgjidhja për një nga problematikat më të mprehtë, atë të mungesës së burimeve njerëzore. do të vijë vetëm në afatin e gjatë.
“Ecuria e sektorit pritet të jetë e çalë gjatë vitit 2024. Në rang global, problematika e mungesës së fuqisë së kualifikuar punëtore pritet të rimëkëmbet rreth viteve 2025-2026. Në Shqipëri po nuk ndodhi ndonjë mrekulli, situata do të përmirësohet në vitin 2028”, – pohon z. Jahja.
Sektori i bareve dhe shërbimeve gjatë viteve 2022-2023 u përball me vende të lira pune prej 15,000 punonjësish. Bizneset nisën të punësonin punonjës nga Bangladeshi dhe India, por sipas Enri Jahja nisma nuk rezultoi e suksesshme, pasi shumë prej tyre largoheshin drejt vendeve europiane.
“Bizneset e bareve dhe restoranteve pohojnë se punonjësit nga India dhe Bangladeshi e shohin vendin tonë jo për të qëndruar si të punësuar, por për të shkuar drejt shteteve të tjera. Largohen në mundësinë e parë që gjejnë. Rendimenti i punës së tyre nuk është i njëjtë me shqiptarët.
Punësimi i tyre është humbje kohe për biznesin”. Ai rekomandoi si zgjidhje ngritjen e shkollave profesionale në rrethe me qëllim plotësimin e boshllëkut të bizneseve për kapitalin human, si dhe përfshirjen e komunitetit rom në shërbime.
Por ndërkohë te strukturat e bareve dhe restoranteve do të vijojë rënia e konsumit edhe këtë vit.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, thotë se faktorët kryesorë që do të vazhdojnë të ndikojnë në mosrritjen e konsumit në bare dhe restorante mbeten emigrimi, rënia e fuqisë blerëse dhe ndryshimi i sjelljes së konsumatorit. Ai parashikon përmirësim të tij gjatë muajve të verës, për shkak të ardhjes së turistëve të huaj.
“Konsumi gjatë 2024 pritet në rënie. Por, gjatë muajve të verës parashikohet të ketë rritje e konsumit me 10-20% nga turizmi. Në anën tjetër, edhe daljet e shtetasve shqiptarë priten të jenë të larta, sidomos në muajt qershor-korrik në Gjermani, ku do të mbahet Kampionati Botëror i Futbollit.
Pra ata që do të vijnë do të balancojnë këta që do të ikin”, thotë ai.
Vitin e kaluar, tendenca e rënies së konsumit në bare dhe restorante u rikthye pas përfundimit të sezonit turistik. Në muajt e verës 2023, konsumi në bare dhe restorante u rrit me 20% krahasuar me 2022 nga fluksi i lartë i turistëve.
Ndër faktorët e brendshëm që ndikuan vjet te rënia e konsumit pas largimit të turistëve ishin pasiguria e lartë për shpenzime, për shkak të vështirësive ekonomike, si dhe “frika” për t’u ekspozuar në restorante të individëve që zotërojnë para të pista, për shkak të hetimeve nga SPAK.
Vitin e kaluar, shpenzimet për person në restorante u rritën me 13-17% nga shtrenjtimi i çmimeve.
Enri Jahja, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, parashikon që çmimet të ndryshojnë edhe gjatë 2024, për shkak të rritjes në tregjet e huaja.
“Çmimi i kafesë së papjekur vitin e ardhshëm pritet të rritet me 10%. Deri tani, nga furnitorët në Itali nuk ka njoftim për ndryshim çmimi. Rritja e çmimit nuk pritet të reflektohet në 6-mujorin e parë të 2024-s.
Në muajin janar-shkurt, çmimet e pijeve alkoolike të importit pritet të rriten 10% për shkak të ndryshimit të çmimeve në bursa, shtrenjtimit të ambalazhit dhe akcizës”.
Sektori në vetvete, sipas tij, do të ketë një rishpërndarje apo vetërregullim që tashmë ka nisur dhe do të vazhdojë derisa tregu të normalizohet. “Në ekonomitë e lira, ku tregu funksionon normalisht, vetërregullohet.
Në Shqipëri, sektori është ‘pompuar’ në mënyrë absurde me para dhe nga njerëz që nuk e njohin këtë aktivitet dhe do të largohen. Për këtë arsye, edhe ky sektor do të vetërregullohet. Procesi do të jetë i gjatë dhe i ngadaltë”.
Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i përhapur, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.
Referuar të dhënave të INSTAT, deri në 2019-n, në këtë sektor ishin të punësuar 45,000 persona. Numri i të punësuarve konsiderohet më i lartë, për shkak të informalitetit./MONITOR