Kryeministri britanik Rishi Sunak bëri këtë të hënë një deklaratë për mediat vendase. Ai ka lëvduar nismat e tij, veçanërisht ato kundër shqiptarëve.
Sipas tij deri më tani janë kthyer në vendin e tyre 1800 shqiptarë. Sunak është shprehur se masat e qeverisë së tij gjithashtu kanë sjellë edhe efekt parandalues, në numrin e njerëzve që mbërrinin ilegalisht nga Shqipëria me “pothuajse 90%”.
Në deklaratën e tij për mediat Sunak, ka theksuar gjithashtu se janë dyfishuar arrestimet e shqiptarëve që kalojnë ilegalisht emigrantë në Britani.
“Para se të nisja planin tim në dhjetor, numri i hyrjeve të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar me gomone katërfishuar në dy vjet. Disa thanë se ky problem ishte i pazgjidhshëm.
Ata kishin humbur besimin te politikanët për të bërë diçka për këtë. Dhe sigurisht, ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë. Por në pesë muajt që kur nisa planin, kalimet tani janë ulur me 20%, krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo është hera e parë që nga fillimi i këtij problemi që mbërritjet midis janarit dhe majit kanë rënë në krahasim me një vit më parë”, ka thënë ndër të tjera kryeministri britanik.
Kryeministri Edi Rama kritikon homologun e tij britanik, Rishi Sunak për taktikat me shije të keqe të këtij të fundit lidhur me goditjen ndaj migrantëve shqiptarë, që mbërrijnë ishullin me varka të vogla, shkruan Charles Hymas për ”The Telegraph”.
Edi Rama nga ana tjetër akuzoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se “ka shpikur dramën” mbi emigrantët shqiptarë, kur tani ata përbëjnë vetëm dy për qind të mbërritjeve të varkave në La Mansh.
Komentet e tij vijnë pasi kryeministri Sunak tha në fjalimin e tij se plani për të ndaluar anijet që kalojnë La Manshin ka nisur të funksionojë.
Sunak deklaroi sot se kalimet me varkë të vogël janë reduktuar me 20%.
”Qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike”. Më pak se dy për qind e totalit të mbërritjeve në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria. Të vazhdosh të flasësh për shqiptarët është gjest i ulët,” thotë Rama.
Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat britanikë kur flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve.
Ai sugjeroi që komentet e saj vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë La Manshin me varka të vogla, mund të konsiderohet krim.
Mijëra shqiptarë janë duke u gjurmuar dhe vënë në shënjestër nga oficerët e Home Office për dëbimet.
Një ekip prej 400 personash është ngritur për të gjurmuar shpejt një numër të madh prej 17 000 kërkesash për azil nga shqiptarët, shumica e të cilave pritet të rezultojnë në dëbimin e tyre.
Ministrat besojnë se qasja e re aktive dhe marrëveshjet e reja të dëbimit me Shqipërinë kanë treguar efikasitet te migrantët e mundshëm nga shteti ballkanik.