Aktualitet

Kujdes nga gripi dhe COVID-i, OBSH: Dy viruset bashkëqarkullojnë, vaksinohuni!

Gripi, COVID-19 dhe viruset e tjera respiratore do të jene në bashkëqarkullim këtë vjeshtë-dimër. Në këto kushte Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehet se kjo është shqetësuese, pasi rreziku për forma të rënda tek grupet e riskut rritet dhe kjo çon në mbingarkesë të sistemeve shëndetësore.

Për të përballuar këtë sezon i cili ka nisur të rrisë numrin e të infektuarve, OBSH rekomandon që të bëhet kujdes pikërisht për grupet e riskut.

Ekspertët janë të mendimit se të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna janë në rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve të rënda për shkak të COVID-19, gripit dhe sëmundjeve të tjera respiratore, ndaj ata rekomandojnë injektimin e doza përforcuese kundër COVID-19 si dhe vaksinës së gripit.

Të rrezikuar për t’u infektuar me COVID-19 dhe grip janë edhe punonjësit e shëndetësisë, ndaj sipas OBSH  duhet të jenë ndër të parët që vaksinohen.

Po ashtu ekspertët kërkojnë që edhe fëmijët e moshës nën 5 vjeç të vaksinohen kundër gripit, pasi janë në rrezik më të lartë të gripit të rëndë ose komplikimeve.

Pavarësisht nëse është COVID-19 ose grip, vaksinat shpëtojnë jetë. Ato mbeten mënyra më e mirë për të luftuar këto sëmundje, duke parandaluar sëmundje të rënda apo vdekje.

OBSH deklaron se COVID-19 mbetet ende një kërcënim. Në 53 Shtetet anëtare të rajonit evropian të OBSH-së, virusi pandemik vazhdon të shkaktojë infeksione, shtrime në spital dhe vdekje.

Exit mobile version