Ky ilaç nuk është, ka mungesë tregu. Është kjo fjalia me të cilën përballen shpesh pacientët kur drejtohen në farmaci me recetën e plotësuar nga mjeku. Presidentja e urdhrit të farmacistit, Diana Toma, në një intervistë për Euronews Albania, pohon se mungesa e barnave në tregun farmaceutik shqiptar është një problem që vazhdon.
“A na mundësohet gjithmonë kërkesa? Jo! Ky është realiteti? Jo, por është një realitet që e ka shoqëruar tregun farmaceutik shqiptar që në momentin e krijimit të tregut privat, duke qenë se furnizimi i tregut nuk realizohet vetëm me prodhimin vendas, por bazë është tregu i jashtëm, anomali te cilat e kanë shoqëruar këtë treg ndër vite bëjnë që të ketë mungesa. Fatkeqësia është mungesa e barnave jetike, ka pasur herë pas here dhe mungesa të tilla,” – u shpreh Toma.
Qytetarët përballen çdo ditë me mungesa të ilaçeve të ndryshme pasi farmacitë nuk i kanë gjithmonë të gjitha alternativat.
“Në periudha të ndryshme mungojnë barna të ndryshme, nëse sot themi mungon bari a, pas disa javësh vjen bari a dhe mungon bari zh, kështu që ne duhet të na shqetësojë fenomeni,” – tha Toma.
Ajo shpjegon se një tjetër faktorë që çoi në mungesë të barnave në treg është largimi i kompanive farmaceutike në momentin e uljes së marzheve të tregtimit të barit në mënyrë të pastudiuar.
“Ngërçi erdhi në momentin që shteti vendosi të aplikojë skemën e rimbursimit të barnave, gjë që drejtpërdrejt ka çuar në ulje të pa studiuar të marzhit të tregtimit të barnave dhe kjo ulje e pa studiuar e marzheve të tregtimit të barnave çoi në boshllëk në tregun farmaceutik, në largim të kompanive që nuk mund ta lëvronin në Shqipëri poshtë një marzhi të caktuar. Kështu që edhe ky është një faktor në mospasjen e në mënyrë të përhershme të barnave në tregun farmaceutik,” – shpjegoi Toma.
Edhe pse mungesa e barnave është një histori e vjetër në tregun farmaceutik shqiptar, Toma thotë se sërish ka mundësi që situata të përmirësohet, mjafton që të ketë frymë bashkëpunimi mes institucioneve politik bërëse dhe politik zbatuese.