Sëmundjet e zemrës janë shkaktari kryesor i humbjes së jetës tek banorët e Kukësit. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, 67 % e vdekjeve në këtë qark vijnë për shkak të sëmundjeve, “sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, që përfshijnë sëmundjet kronike të zemrës dhe ato ishemike. Pas Kukësit, qarqet me përqindjen më të lartë të fataliteteve nga ky grup sëmundjesh janë Shkodra, Fieri dhe Dibra.
“Ndërsa qarku i Tiranës i cili mban 1/3 e popullsisë së vendit rendit në vend të 5 për humbjet e jetëve për shkak të sëmundjeve të zemrës. 54 % e vdekjeve gjatë një viti, vijnë për shkak të kësaj sëmundje”, raporton gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi.
Gjirokastra një prej qarqeve me popullsinë më të moshuar, është më pak e prekur nga sëmundjet e zemrës. Në rang vendi afro 54 % e viktimave nga këto sëmundje janë femra dhe 46 % meshkuj, ndërsa grupmosha më e prekur është ajo 45-80 vjeç.
Sipas të dhënave të OBSH Shqipëria ka hyrë në zonën e kuqe për rastet e shpeshta në popullatë me sëmundje kardiovaskulare. Për shkak të kësaj sëmundje, 10 mijë persona çdo ditë humbin jetën në Europë.