Aktualitet

Ligji i mjekësisë I pakthyeshëm/ Ministria e Arsimit: Vendi ka nevojë për bluzat e bardha

 Studentët e mjekësisë së përgjithëshme shprehen të vendosur për të vazhduar bojkotin e vitit akademik dhe protestat ndërsa kërkojnë nga ministria e arsimit një tryezë diskutimi për të gjetur zgjidhje, sipas tyre jodetyruese. Por në kushtet kur ligji tashmë është në fuqi, Zëvendës ministrja Albana Tola fton mjekët e ardhshëm që të kthehen në auditore, duke theksuar se nuk janë lënë pa mundësinë që të zgjedhin.“Ligji i jep mundësinë studentëve që të zgjedhin mbi bazën e vitit ku janë të regjistruar. Duke iu referuar studentëve nga viti i dytë në vit të katërt të cilët punësohen për një hark kohor tre vjeçar dhe studentëve të vitit të pestë dhe të gjashtë të cilët punësohen për një hark kohor dy vjeçar. Nëse nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen ata do të duhet të paguajnë koston reale të formimit të tyre që është përcaktuar sipas metodologjisë me vendim të këshillit të ministrave.”u shpreh Albana Tola zv.Ministre e Arsimit dhe Sportit. Studentët këmbëngulin se nuk është kjo mënyra për të zgjidhur krizën që ka vendi për bluzat e bardha pasi situata edhe pse e vështirë, nuk është emergjente. Por nga ana tjetër ata përballen me argumentin se duhet të mendojnë edhe për interesin e përgjithshëm.“Ministria e Arsimit është e hapur për të pritur përfaqësitë e studentëve. Por dua të sjell në fokus faktin që nevoja për miratimin e këtij ligji, u diktua nga tregu. Nisur nga studimet e zhvilluara, aktualisht kemi rreth 1.9 mjekë për një mijë banorë, ndërsa vendet e OECD 3.6, jemi larg arritjes së këtij niveli. Nisur nga kjo nevojë që vendi ka për burime njerëzore në fushën e shëndetësisë, është kërkuar që të ngrihen mekanizma nxitjeje.”theksoi zv.Ministria Sipas ministrisë së arsimit, ligji jo vetëm krijon mundësi punësimi për studentët ndërkohë që ndjekin specializimin por ofron edhe lehtësira sa i takon programit të strehimit. Ndërkohë, studentët e konsiderojnë tarifën prej rreth 250 mijë lekësh për vit studimi, të pajustifikuar ndërsa ligjin për trajtimin e veçantë të tyre do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Exit mobile version