INSTAT ka publikuar të dhënat për sa i përket hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptar dhe të huaj, gjatë muajit korrikut në vendin tonë.
Hyrjet në territorin shqiptar
Gjithsej hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar gjatë muajit korrik të këtij viti janë 2.536.841. Ky tregues rezulton me një rritje prej 26,1 %, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Numri i shqiptarëve që kanë hyrë në Shqipëri është 766.117. Ky numër është rritur me 26,1%, krahasuar me korrikun e vitit 2022.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.770.724. Ky numër është rritur me 26,2%, krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik janë 2.150.748, duke shënuar një rritje me 15,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithsej gjatë shtatëmujorit të vitit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 5.167.656, duke bërë që ky numër të rritet me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Daljet nga territori shqiptar
Sipas INSTAT daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik 2023 janë 710.711. Krahasuar me atë të vitit të kaluar, ky tregues është rritur me 27,8 %.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2023, janë 1.440.037. Krahasuar me korrikun e 2022-shit, sërish ky tregues është rritur me 9,6 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit 2023, është 3.734.813, duke u rritur me 21,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.694.657 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Lindja e Mesme, përkatësisht me 45.821 dhe 14.805 shtetas.
Në Korrik 2023 krahasuar me Korrik 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur:
– për qëllime personale me 26,0 %;
– për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 22,8 %;
– për biznes dhe qëllime profesionale me 63,3 %.