Aktualitet

Mediat britanike: Shqipëria, destinacioni që duhet vizituar në 2024

Nuk ndalet në mediat e huaja jehona e Shqipërisë turistike. Revista britanike “National Geographic Traveller” e ka renditur Shqipërinë mes 30 destinacioneve më emocionuese për të vizituar në vitin 2024.

Për udhëtarët që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme po e kthejnë vëmendjen e tyre gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë.

Vendi yne po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, por edhe të kaluarës osmane dhe komuniste. Alpet Shqiptare janë një e pjesë e rëndësishme e turizmit shqiptar dhe konkretisht Bjeshët e Namuna cilësohen një ëndërr për alpinistët. Të gjithë ata udhëtarë që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të këtyre maleve mund të bëhen pjesë e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin e Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit.

Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore. Ryanair ka nisur së fundmi fluturimet drejt kryeqytetit Tiranë nga Edinburgh, Mançester dhe Stansted, ndërsa kompania ajrore Wizz Air do të operojë nga Birmingham, Edinburgh dhe Liverpool nga 19 Dhjetori i këtij viti.

Por teksa “National Geographic Traveller”u ndal tek alpet shqiptare media tjetër britanike ‘Inews’ ndalet tek qytetet e UNESCO si i Gjirokastrës dhe Beratit që duhen vizituar.

Përveç plazheve të bukura, Shqipëria ka thesare arkeologjike po aq mbresëlënëse sa në Greqi si psh Parku Kombëtar i Butrintit dhe Parku Arkelologjik i Apolonisë thuhet ne shkrimin e medias britanike.

Shqipëria ishte e izoluar nga bota e jashtme gjatë sundimit 40-vjeçar të diktatorit Enver Hoxhës deri në vdekjen e tij në 1985. Situata politike e bllokoi Shqipërinë nga bumi i turizmit, por vitet e fundit vizitorë të huaj janë dyndur në vend, veçanërisht në plazhet e Rivierës. Në shtatë muajt e parë të 2023 në Shqipëri erdhën 5.1 milionë turistë krahasuar me 3.9 milionë që ishte në vitin 2022.

Exit mobile version