Edhe administrata publike po vuan për punëtorë të aftë. Mungesa e ekspertëve dhe specialistëve evidentohet në një nga raportet e fundit të Ministrisë së Financave.
Mungesa e ekspertëve dhe specialistëve po vë në vështirësi administratën publike. Me këtë shqetësim përballet Ministria e Financave, teksa bën planifikimin e strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike. Në raport ajo, vlerëson se mungesa e burimeve njerëzore është bërë pengesë për arritjet në pikat kyçe politikës fiskale. “Për sa u përket rregullave fiskale, sfida kryesore lidhet me trajnimin e stafit të sektorit për analiza dhe statistika. Për të kapërcyer këtë problem, po planifikohet të ndjekin trajnimet për ta zbutur këtë risk. Këto dy vite, janë hapur procedurat e rekrutimit”, thuhet në raport.
Mungesa e stafit dhe ekspertëve është shqetësim madhor pothuajse në të gjitha funksionet.
Këtë vakum e kanë hasur vitin e kaluar, institucione si Kadastra dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë. Edhe për zgjerimin e përdorimit të sistemit online të thesarit gjatë vitit 2022 u shfaqën rreziqe të brendshme që lidheshin me mungesën e specialistëve në sektorin IT.