Çmimet e apartamenteve kanë filluar të bien në vendet e Bashkimit Europian. Tendenca rënëse e çmimeve ka nisur që në 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Eurostat për 3-mujorin e katërt të 2022 çmimi mesatar i apartamenteve është ulur 1,7% në eurozonë dhe 1,5% në BE-krahasuar me 3-mujorin paraardhës.
Eurostat thekson se kjo është rënia më e madhe tremujore për çmimet e apartamenteve në zonën e euros që nga 3-mujori i katërt i 2008-s (-1,7%) dhe që nga tremujori i parë i vitit 2009 (-1,9%) për BE-në. Në Tiranë rritja e çmimeve nuk ndalet
Sakaq në Tiranë për 2022 çmimet e apartamenteve vijuan tendencën e tyre rritëse. Për 6 mujorin e parë të vitit të kaluar në Tiranë çmimi i pasurive të patundshme rezultoi 28,4% më shtrenjtë se 6 mujori i mëparshëm. Në raport më vitin 2021, çmimet e pronave për periudhën janar-qershor 2022 ishin 39% më shtrenjtë sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë.
Tendenca e rritjes së çmimeve ka vijuar edhe për këtë vit në Tiranë. Në zonat periferike siç është Fresku çmimet e apartamenteve janë rritur 14%. Nga 700 euro për metër katror që ishte çmimi maksimal në këtë zonë ka arritur 800 euro, sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të paluajtshme. Për zona si Komuna e Parisit çmimet e apartamenteve në ndërtime të reja vijojnë të jenë 2,200 euro për metër katror, nga 1,700 euro për metër katror që arriti në 2021-2022 çmimi maksimal. Ndërsa në zonën e ish Bllokut çmimi më i lartë është 3,500 euro për metër katror për ndërtimet e reja. Agjencitë imobiliare pohojnë se rritja e çmimeve në Tiranë është ndikuar nga shtimi i kërkesës dhe shtrenjtimi i kostove, veçanërisht në zonat e reja rezidenciale që ofrojnë shërbime të shtuara. Për aktorë të tjerë të tregut rritja e çmimeve në kryeqytet ndikohet nga fluksi i parasë informale. Ndërtuesit paralajmërojnë shtrenjtim të çmimeve nëse do të miratohet amnistia fiskale, pasi shumë individë, kryesisht emigrantë të ardhurat e disponueshme informale do të nxitojnë t’i legalizojnë në blerjen e apartamenteve.
Aktiviteti i pasurive të paluajtshme arrti rekord në 2022
Aktiviteti i pasurive të paluajtshme në vend po rritet me shpejtësi. sipas INSTAT “Pasuritë e paluajtshme- real estate” ishin sektori më rritjen më të lartë në 2022, me 11.21%. Jo vetëm ky zgjerim është më i larti nga të gjithë sektorët e tjerë në 2022, por ai shënoi dhe një rekord më vete, duke pasur ecurinë më të mirë të dy dekadave të fundit. Në vlerë pasuritë e paluajtshme arritën në rekordin e 119 miliardë lekëve, ose mbi 1 miliardë euro.
Edhe ndërtimi ka arritur një nivel rekord në 2022, me vlerë prej 207 miliardë lekësh, ose 1.7 miliardë euro./Monitor