Aktualitet

Pasgoditjet e valëve të COVID-19

Vendi ynë dhe Europa është duke kaluar në heshtje një valë të re të pandemisë COVID-19, që po vjen me disa nën variante më të lehta në formën e një viroze me temperaturë të lartë, lodhje, dhembje trupi dhe kollë. Në Shqipëri, rastet kanë nisur të rriten pas datës 20 gusht dhe kulmuan në javën e dytë të shtatorit. Simptomat janë të lehta dhe nuk kërkojnë trajtim me antibiotikë dhe nuk ka shtrime në spitale. BE dhe SHBA autorizojnë vaksinat përforcuese për nënvariantet e COVID-19. Moshat e vjetra dhe të sëmurët kronikë janë më të rrezikuarit. Bie vigjilenca për tamponin dhe masat mbrojtëse. Studimi shqiptar tregon se si kanë evoluar antitrupat te personat me vaksina dhe pa vaksina. Një valë e re COVID-19 ka nisur prej një muaji në vendin tonë, por specialistët e shëndetit pohojnë se situata nuk është shqetësuese. Simptomat janë të ngjashme me gripin dhe nuk ka përkeqësime në atë masë që të kërkojnë trajtime ne spital.

Mjekët në poliklinikën e specializuar të mushkërive, “Hektor Çoçoli” në Tiranë shpjeguan se rastet nisën të shtoheshin rreth datës 20 gusht 2023 dhe në javën e dytë të shtatorit ka një përhapje më të madhe.

“Simptomat janë të ngjashme me gripin, por në të shumtën e rasteve nuk kanë nevojë për trajtim me antibiotikë. Zakonisht të prekurit kanë temperaturë të lartë, dhimbje të kyçeve dhe lodhje të theksuar për disa ditë. Ndërkohë që trajtimet nga ana jonë bëhen sipas simptomave që, në të shumtën e rasteve, nuk përfshijnë antibiotikët” – tha mjeku pneumolog, Luan Dyrmishi.

Teksa pas goditjet e COVID-19 rikthehen, popullsia ka humbur vigjilencën për masat mbrojtëse dhe ekzaminim me tampon. Janë vetëm disa raste të rralla që bëjnë testet dhe rezultojnë pozitive. Mjekët po marrin si referencë këto raste për të trajtuar edhe të tjerët me simptoma të ngjashme.

“Tani nuk është një sezon virozash dhe rritja e rasteve për trajtim në poliklinikën tonë po krijohet nga përhapja e re e COVID-19” – tha z. Dyrmishi.

Simptomat janë më të rënda te moshat e vjetra dhe te të sëmurët kronikë, por edhe te persona me dëme të rënda në mushkëri nga valët e kaluara të COVID-19.

Një situatë të ngjashme është duke kaluar edhe Europa dhe SHBA. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) raportoi se, javët e fundit, sinjalet e transmetimit të SARS-CoV-2 janë rritur nga nivelet shumë të ulëta më herët këtë vit.

ECDC ka gjetur se faktorët që nuk kanë lidhje me evolucionin gjenetik të SARS-CoV-2 ka, por nga rritjet e vërejtura të treguesve epidemiologjikë, të tillë si grumbullimet e mëdha dhe shtimi i udhëtimeve gjatë pushimeve sezonale, si dhe zvogëlimi i niveleve të mbrojtjes imunologjike kundër infeksionit.

Sidoqoftë, SARS-CoV-2 mbetet i aftë të përvetësojë mutacione që lehtësojnë qarkullimin e tij të vazhdueshëm në periudha të paparashikueshme gjatë gjithë vitit. Rritjet e vëzhguara së fundmi në transmetimin e SARS-CoV-2 kanë përkuar me shfaqjen e një grupi nënlinjash të lidhura me Omicron.

Në gusht 2023, u raportuan zbulime sporadike të një nënlinje të re të Omicron me shumë mutacion, BA.2.86, brenda dhe jashtë Bashkimit Europian. Edhe pse janë konfirmuar shumë pak zbulime të rasteve globalisht, transmetimi i këtij varianti nga komuniteti është gjetur në shumë vende.

Për sa u përket mutacioneve, varianti është shumë divergjent nga variantet aktualisht qarkulluese të SARS-CoV-2 duke sjellë mundësinë e rritjes së ri-infeksioneve.

Pak ditë më parë, Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) miratoi dhe autorizoi për përdorim urgjent vaksinat e përditësuara të COVID-19 të formuluara për të synuar më afër variantet që qarkullojnë aktualisht dhe për të ofruar mbrojtje më të mirë kundër pasojave serioze të COVID-19.

Vaksina e re është një përditësim i varianteve të prodhuara nga ModernaTX inc. dhe Pfizer inc. Në përputhje me tërësinë e provave dhe të dhënave nga këshilltarët ekspertë të FDA-së, këto vaksina janë përditësuar për të përfshirë një komponent monovalent (të vetëm) që korrespondon te varianti Omicron XBB.1.5.

Vigjilencë e ulët edhe nga qytetarët dhe institucionet

Si qytetarët, ashtu edhe institucionet që merren me monitorimin e situatës shëndetësore, e kanë humbur vigjilencën për nënvariantet e COVID-19. Ministria e Shëndetësisë, e cila centralizoi raportimin e të dhënave kur nisi pandemia, e ka njoftimin e fundit rreth COVID-19 më 17 shtator 2020, ndërsa të dhënat për vaksinimin, në maj 2023.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i cili monitoron përhapjen e pandemisë në popullatë, si për gripin, ashtu edhe COVID-19, nuk i publikon të dhënat që prej 3-mujorit të parë 2020.

Burimet nga ISHP pohuan se monitorimet kryhen sistematikisht, por të dhënat nuk publikohen si më parë, por dorëzohen te Ministria e Shëndetësisë. Përveçse të dhënat statistikore nuk janë më të disponueshme, mjekët dhe grupet e interesit nuk kanë njohuri për përhapjen e COVID-19 aq më tepër për nënvariantet dhe informacione të tjera të detajuara që mund të vlejnë.

Alban Ylli, epidemiolog i njohur dhe ekspert i politikave shëndetësore, thotë se tani, pandemia është shndërruar në endemi. COVID-19 qarkullon, por me simptomat e një gripi të thjeshtë, i cili si çdo virozë tjetër mund të krijojë vështirësi te grupmoshat e vjetra dhe të sëmurët kronikë.

Mjeku pneumoloug, Arjan Mezini, nga spitali universitar “Shefqet Ndroqi” tha se janë shtuar rastet me COVID-19, por më tepër si çdo virozë tjetër. Shumë pak raste kanë nevojë për hospitalizim.

Edhe në Bashkimin Europian, mbikëqyrja COVID-19 në aspektin e monitorimit dhe të dhënave është ulur ndjeshëm që nga viti i kaluar.

Shfaqja e variantit BA.2.86 nënvizon rëndësinë e vigjilencës së vazhdueshme për COVID-19, duke forcuar sistemet e mbikëqyrjes në kujdesin parësor dhe dytësor për të zbuluar tendencat në transmetimin e COVID-19 dhe sëmundjet e rënda, këshilloi Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në një deklaratë zyrtare këto ditë.

Studimi, si janë zhvilluar antitrupat të vaksinë dhe pa vaksinë

Personat që kishin kaluar infeksionin COVID-19 dhe kishin bërë së paku një nga vaksinat kundër COVID-19, kishin një përgjigje imunitare më të mirë se ata që kishin kaluar infeksionin dhe nuk ishin vaksinuar dhe kishin antitrupa gati njësoj me ata që ishin infektuar dhe kishin dy doza vaksinash.

Këto pak a shumë ishin rezultatet e një studimi të 9 ekspertëve të shëndetit të kryesuar nga imunologu Genc Sulçebe dhe epidemiologu Alban Ylli, i cili u krye në dy grupe të pavarura nga popullata e përgjithshme, me një vit interval ndërmjet korrik-gusht 2021 dhe korrik-gusht 2022.

Deri në gusht 2021, popullsia shqiptare përjetoi tre valë COVID-19. E para dhe e dyta ishin me variantet origjinale të virusit Ëuhan dhe i treti me variantin Alfa. Në shtator 2021, varianti Delta shkaktoi një valë të katërt, i ndjekur nga dy valë të njëpasnjëshme që nga fillimi i vitit 2022 deri në gusht 2022, të shkaktuara nga variantet Omicron.

Studimi gjeti se shkalla e infeksionit simptomatik të kaluar ishte 51.4% në grupin e pavaksinuar të grupit 2022. Për më tepër, infeksione josimptomatike janë gjetur në 42,3% të shqiptarëve mbi 20 vjeç.

Tek individët e pavaksinuar të periudhës korrik-gusht 2022, antitrupat ishin 80.1% të kampionit, ndërsa në të gjithë individët e vaksinuar, që përfshinin afërsisht 70% e kampionit, antitrupat ishin zhvilluar 95% në 99%.

Autorët nëpërmjet të dhënave gjetën se vaksinimi ishte vendimtar në arritjen e pragut të imunitetit kolektiv të popullatës dhe duket se ka ndihmuar ndjeshëm në kontrollin e transmetimit të COVID-19. Midis individëve të pavaksinuar në vitet 2021 dhe 2022, normat e infeksionit me simptoma COVID-19 ishin të ngjashme.

Studimi tregoi se të moshuarit shqiptarë kishin ekspozim të lartë ndaj virusit SARS-CoV-2 në faza të hershme të pandemisë.

Midis individëve të vaksinuar të grupit 2022, antitrupat ishin të krahasueshëm midis individëve që morën një dhe atyre që morën të dyja doza të vaksinës.

Prania e imunitetit hibrid, që kombinon infeksionin natyror dhe vaksinimin kontribuoi në reagimin më të fortë imunitar tek individët me COVID-19 pozitiv vetëm me një dozë vaksine në 2021, që kishte të njëjtat norma seropozitiviteti dhe nivele antitrupash si te grupi i grupit 2022.

Efekti i imunitetit hibrid në gjenerimin e një përgjigje të fortë imune është gjetur në shumë studime. Ndikimi i infeksionit COVID-19 në sasinë e përgjigjes imune tregohet qartë në grupmoshën mbi 61 vjeç që kishin marrë dy doza vaksine dhe rezultoi se doza e antitrupave e gjetur në gusht 2022 ishte më e lartë se më 2021.

Ekzaminimet në moshën mbi 60 vjeç gjetën se antitrupat ishin me nivele gati të ngjashme te personat që morën dy-tre doza vaksinash me ata që kaluan infeksionin dhe morën vetëm një dozë vaksine. Gjithashtu personat mbi 61 vjeç e kishin më të vështirë të krijonin mbrojtje imune pa vaksina.

Interesante është se koha e kaluar nga infeksioni i mëparshëm COVID-19 ose doza e fundit e vaksinës nuk luajnë rol të rëndësishëm në amplituda e përgjigjes imune. Përgjigjja imune mbeti e fortë pavarësisht intervaleve më të gjata midis infeksionit dhe vaksinimit në 2022 krahasuar me 2021.

Zbulimi mbështet studime të tjera që raportojnë se mbrojtja vetëm nga vaksinimi mund të zvogëlohet me kalimin e kohës, por vaksinimi pas infektimit mund të mbajë nivelin e antitrupave më të lartë për një periudhë më të gjatë.

Prania e antitrupave anti-N tregon një infeksion natyral SARS-CoV-2. Megjithatë, në grupet e 2021 dhe 2022, antitrupat anti-N demonstruan ndjeshmëri më të ulët se antitrupat anti-S1 (nga vaksina).

Ky konstatim tregohet qartë tek individët e pavaksinuar, tek të cilët seropozitiviteti anti-N, normat ishin në grupet e 2021 dhe 2022, përkatësisht 17.0% dhe 21.2% më të ulëta se ato me vaksina.

Si përfundim, të dhënat seroepidemiologjike të bazuara në popullatë konfirmojnë studimet e mëparshme të bazuara në qelizat B të kujtesës, duke raportuar se tek individët me infeksion të mëparshëm COVID-19, një dozë vaksine mund të jetë e mjaftueshme për të krijuar një përgjigje imune të nivelit të lartë të krahasueshme me ato që marrin dy doza .

Autorët arritën në konkluzionin se, për të arritur nivele optimale mbrojtëse të antitrupave me vaksinë tek individët mbi 60 vjeç dhe ata me mangësi imune, një dozë e dytë dhe ndoshta një e tretë përforcuese janë të nevojshme në intervale më të gjata se zakonisht katër javë pas dozës së parë për të marrë një nivel mjaftueshëm mbrojtës të imunitetit.

FDA nxjerr vaksinën e re Anti COVID-19, kush duhet të vaksinohet

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së autorizoi për përdorim vaksinat e përditësuara të kundër varianteve të COVID për periudhën 2022-2024 në javën e dytë të shtatorit të prodhuara nga ModernaTX inc. dhe Pfizer inc.

Në deklaratën zyrtare, FDA thotë se vaksina duhet të aplikohet nga individët 5 vjeç e lart, pavarësisht nga vaksinimi i mëparshëm. Ata mund të marrin një dozë të vetme të një vaksine të përditësuar të mRNA COVID-19 të paktën dy muaj nga doza e fundit e çdo vaksine COVID-19.

Personat e moshës 6 muaj deri në 4 vjeç, të cilët janë vaksinuar më parë kundër COVID-19, kanë të drejtë të marrin një ose dy doza të një vaksine të përditësuar të mRNA për COVID-19 (koha dhe numri i dozave për t’u administruar varet nga vaksina e mëparshme e marrë COVID-19).

Individët e pavaksinuar nga 6 muaj deri në 4 vjeç kanë të drejtë të marrin tre doza të vaksinës së përditësuar të autorizuar të Pfizer-BioNTech COVID-19 ose dy doza të vaksinës së përditësuar të autorizuar Moderna COVID-19.

FDA dha siguri për efektivitetin e vaksinave të përditësuara dhe tregoi se përfitimet e këtyre vaksinave për individët 6 muajsh e lart tejkalojnë rreziqet e tyre. Individët që marrin një vaksinë të përditësuar të mRNA për COVID-19 mund të përjetojnë efekte anësore të ngjashme si ato të raportuara nga individë që kanë marrë më parë vaksina mRNA COVID-19 siç përshkruhet në informacionin përkatës të recetave ose fletët e fakteve.

Vaksinat e përditësuara pritet të ofrojnë mbrojtje të mirë kundër COVID-19 nga variantet që qarkullojnë aktualisht. Duke përjashtuar shfaqjen e një varianti dukshëm më virulent, FDA parashikon që përbërja e vaksinave COVID-19 mund të ketë nevojë të përditësohet çdo vit, siç bëhet për vaksinën e gripit sezonal.

Prodhuesit kanë njoftuar publikisht se vaksinat e përditësuara do të jenë gati këtë vjeshtë dhe FDA parashikon që vaksinat e përditësuara do të jenë të disponueshme në të ardhmen e afërt.

Vaksinat e përditësuara të mRNA janë miratuar secila për individët 12 vjeç e lart dhe janë të autorizuara për përdorim urgjent për individët nga 6 muaj deri në 11 vjeç. Si pjesë e veprimeve të sotme, vaksinat bivalente Moderna dhe Pfizer-BioNTech COVID-19 nuk janë më të autorizuara për përdorim në Shtetet e Bashkuara.

Vaksinat mRNA COVID-19 të miratuara dhe të autorizuara mbështeten nga vlerësimi i FDA-së i të dhënave të prodhimit për të mbështetur ndryshimin në formulën 2023-2024 dhe të dhënat e përgjigjes imune joklinike në formulimet e përditësuara.

Vaksinat e përditësuara të mRNA janë prodhuar, duke përdorur një proces të ngjashëm si formulimet e mëparshme.

Në studimet që janë kryer së fundmi, shkalla e neutralizimit e vërejtur nga vaksinat e përditësuara kundër varianteve virale që qarkullojnë aktualisht të cilat shkaktojnë COVID-19, duke përfshirë EG.5 dhe BA.2.86, duket të jetë e një madhësie të ngjashme me masën e neutralizimit të vërejtur me versionet e mëparshme të vaksinave kundër varianteve përkatëse të mëparshme kundër të cilave ato ishin zhvilluar për të ofruar mbrojtje.

Kjo sugjeron që vaksinat janë një zgjedhje e mirë për t’u mbrojtur kundër varianteve të COVID-19 që qarkullojnë aktualisht.

Si po përhapen variantet e reja të COVID-19 në Europë, moshat e vjetra më të rrezikuara

Të dhënat nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) deri në fund të datës 27 gusht 2023 tregojnë se transmetimi i SARS-CoV-2 po rritet në Bashkimin Europian. Aktualisht të dhënat në lidhje me ashpërsinë e infeksionit janë të kufizuara.

Midis 21 vendeve që raportuan informacione specifike sipas moshës për rastet pozitive për COVID-19, në shumicën e tyre u vunë re rritje të rasteve te njerëzit 65 vjeç e lart dhe përhapje më e madhe te personat mbi 80 vjeç.

Duke qenë se këto grupmosha kanë rrezikun më të lartë të sëmundjeve të rënda, shifrat theksojnë rëndësinë e vazhdimit të monitorimit të sëmundjes dhe mbrojtjen e grupmoshave më të vjetra.

Testet pozitive janë rritur në 12 nga 19 vende që raportojnë informacione, por normat e ulëta të testimit po sjellin nënvlerësim të përhapjes së Covid-19 aktualisht.

Të dhënat e grumbulluara në javën e 34 të vitit (në mes të gushtit) tregojnë për 135 vdekje në 18 vende (krahasuar me 52 vdekje të raportuara nga 15 vende në javën 33 të vitit. Tre vende kanë vërejtur rritje të shkallës së vdekjeve në grupmoshën 65 vjeç e lart.

Por numri i pacientëve që paraqiten te mjekët e përgjithshëm me sëmundje respiratore, sëmundje të ngjashme me gripin, mbetet në nivele të ulëta krahasuar me sezonin e dimrit dhe në përputhje me ato të vërejtura në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat për rastet e rënda të Covid-19 mungojnë edhe në BE.

Peizazhi global i variantit SARS-CoV-2 aktualisht karakterizohet nga linjat pasardhëse të XBB. Mbi 300 linja pasardhëse XBB janë përshkruar deri më tani, të cilat bartin mutacione shtesë nga nënvarianti XBB. Peizazhi i variantit global dominohej deri vonë nga një grup linjash XBB të karakterizuara nga prania e tre mutacioneve në proteinën Spike të quajtura nën-variante të ngjashme me XBB.

Disa nënlinja po pësojnë një ndryshim të proteinë. Të dhënat sugjerojnë se linjat e ngjashme me XBB janë aktualisht linjat mbizotëruese të SARS-CoV-2 në shumë vende BE-së.

Studimet në nënvariantet e COVID-19 nuk ka gjasa të shoqërohen me ndonjë rritje të ashpërsisë së infeksionit në krahasim me variantet që qarkullojnë aktualisht. Megjithatë, individët e moshuar dhe ata me sëmundje kronike janë më të rrezikuar nëse infektohen, lajmëron ECDC.

Më 30 gusht 2023, komiteti i barnave humane i EMA në Europë autorizoi një vaksinë të përshtatur “Comirnaty” që synon nënvariantin Omicron XBB. Sipas rekomandimit, të rriturit dhe fëmijët e moshës mbi 5 vjeç mund të marrin një dozë të vetme, pavarësisht nga historia e tyre e vaksinimit kundër COVID-19.

Fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në katër vjeç, që kanë nevojë për vaksinim, mund të marrin një ose tre doza në varësi të faktit nëse ata kanë marrë një vaksinë primare kundër Covid-19.

Ekspertët europianë të Shëndetit Publik rekomandojnë fillimin e fushatave për vaksinimin kundër varianteve të Covid-19. Për shkak të epidemiologjisë në zhvillim të COVID-19 në Europë, identifikimi në kohë i grupeve të synuara të vaksinimit është thelbësor për të mbrojtur njerëzit me rrezik të lartë për sëmundje të rënda dhe vdekje.

Fushata duhet të kenë në themel sensibilizimin me informacionin se pse është i rëndësishëm vaksinimi, vë në dukje ECDC

COVID-19 rriti barrën e sëmundjeve në popullatë

Dy valët e para të COVID-19 në vitin 2021 dhe 2022 krijuan pasojat afatgjata te të prekurit, të tilla si dëmtimi i mushkërive, sistemit nervor dhe lodhja kronike.

Pasojat afatgjata pas infeksionit SARS-CoV-2 po bëhen një barrë e rëndësishme për shoqëritë dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.

Në poliklinikën e specializuar të mushkërive në Tiranë, e njohur si “Dispanseria”, mbi 15% e atyre që e kanë kaluar infeksionin me prekje në shkallë të madhe të mushkërisë vuajnë nga fibrozat polmunare, një lloj i kalcifikimit të pjesëve të mushkërisë që, në disa raste, kthehen në dëme të përhershme – shpjegojnë mjekët.

Fibrozat në mushkëri Post-COVID, përveçse janë një ngarkesë e re për sistemin, ulin në mënyrë të ndjeshme produktivitetin e jetës te personat e prekur. Përgjithësisht, këta persona nuk përballojnë punë të rënda fizike dhe kanë nevojë për mjekime që zgjasin gjithë jetën, duke u shndërruar në barrë për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor në afat të gjatë, shprehet doktor Mezini.

Një pjesë e madhe e tyre do të mbeten të sëmurë kronikë dhe do të jenë një barrë e re shtesë për sistemet spitalore në vend. Sipas vlerësimeve nga Poliklinika e Trajtimit të Mushkërive, rreth 20% e pacientëve vuajnë nga një lodhje e gjatë kronike, e cila zgjat në kohë. Pacientët me këto simptoma nuk ndihen si më parë gati edhe një vit pasi kanë kaluar infeksionin.

Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore e “COVID të gjatë” edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën. Pas valëve pandemike, numri i personave që kërkojnë trajtim në pavijonet e psikiatrisë është rritur ndjeshëm edhe nga të dhënat zyrtare.

“Nature”, një revistë javore ndërkombëtare, që boton kërkimet më të mira në të gjitha fushat e shkencës, publikoi një studim i cili evidentoi se COVID-19 lë 55 efekte negative afatgjata te personat e prekur.

Rezultatet treguan se 80% e pacientëve të infektuar me SARS-CoV-2 zhvilluan një ose më shumë simptoma afatgjata. Pesë simptomat më të zakonshme ishin lodhja (58%), dhembja e kokës (44%), çrregullimi i vëmendjes (27%), rënia e flokëve (25%) dhe dispnea 24% (ndjesi e pamundësisë për t’u mbushur me ajër).Monitor

Exit mobile version