Dëbora e parë pushton Veriun dhe juglindjen e vendit.Dëbora ka përfshirë këtë të shtunë disa zona të Kukësit, Dibrës, Malësisë së Madhe të Shkodrës si dhe Korçës.
Trashësia ka arritur deri 50 cm në zonat e thella të Dibrës, ndërsa në qytetin e Peshkopisë ka shkuar edhe mbi 20 cm.
Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme.
Si rezultat i reshjeve te dëbores rreth 100 mjete janë të bllokuara, tek pishat e Bulqizës – Qafa e buallit i bllokuar.
Gjithashtu 300 mjete janë bllokuar në dyja anët e rrugës në Baypasi i Murrizit nga fshati Bastar Murrize deri tek ura e Gurit të Bardhë.
Zv/Kryeministrja Belinda Balluku gjatë inspektimeve të situatës në terren thotë se borepastueset po punojnë për normalizimin e situatës.
“Ne në rang vendi kemi 110 borepastruese qe po punojmë”.
Drejtuesve të automjeteve u kërkon të bëjnë kujdes dhe të shmangin sa më shumë daljet jo urgjente.
“Në gjithë zonat ku kërkohen zinxhirët duhen vendosur. Duhen kufizuar lëvizjet me automjete, vetëm në rastet emergjente duhet të lëvizni, ju lutem kujdesuni të qëndroni brenda në shtëpi”.
Moti i paqëndrueshëm ka sjellë probleme edhe me furnizimin me energji, duke lënë pa drita disa fshatra kryesisht në zonën e qarkut të Dibrës.
“Do të punohet përgjatë gjithë natës për të rikthyer energjinë elektrike”.
Sa i përket reshjeve të shiut që kanë përfshirë pjesën tjetër të territorit, pavarësisht sasisë së madhe autoritetet lokale nuk raportojnë problematika me përmbytjet, ndërkohë që për shkak të erave të forta disa lundrime në Durrës dhe Vlorë janë pezulluar.