Rreth 35 fëmijë dhe edukatore të kopshtit të fëmijëve në Milot do të kalojnë një dimër më të ngrohtë dhe në komoditet duke kursyer faturën e energjisë elektrike. Ndërtesa e këtij kopshti iu nënshtrua masave të efiçencës së energjisë, të cilat përfshinë veshjen kapotë të fasadës, instalimin e dritareve termike dhe ngrohjen e ujit nga panele diellore.
Ky investim efiçent u zbatua nga Bashkia e Kurbinit në kuadër të projektit “Rruga drejt përdorimit efiçent të burimeve natyrore vendore”, me financimin e programit Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë të Instrumentit të Paraaderimit IPA II të Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë e përurimit të këtij investimi përshëndetën kryetarja e bashkisë Kurbin, znj.Majlinda Cara; z. Erjon Tase, Drejtor i Akademisë së Studimeve Politike; z. Ardian Metaj, menaxhues i projekteve të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe z. Enver Shabani, drejtor për Zhvillimin Ekonomik, Komuna Suharekë.
Në fjalën e tyre u theksua rëndësia e zbatimit të këtij investimi për komoditetin e fëmijëve, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit për të kontribuar dhe bashkëpunuar drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.
Pas zbulimit të tabelës së investimit, si një përurim simbolik, të pranishmit vizituan ambjentet e brendshme të kopshtit për t’u njohur me masat e efiçencës të zbatuara.
Punimet e fundit mirëmbajtëse në godinë ishin realizuar rreth viteteve 2000, në shmangie të standardeve minimale të efiçencës. Lagështira, një karakteristinë për zonën, krijonte problematika për shëndetin e fëmijëve dhe edukatoreve të tyre. Ngrohja me pompa nxehtësie me sistem inverter do të eleminojë sobat me djegienë klasa, të cilat rëndonin cilësinë e ajrit në brendësi të ambjenteve të mësimit.
Informacioni për efiçencën e energjisë u mundësua më tej në stendat e Panairit Artizanal dhe të Kulinarisë Kurbin 2024. Biznese nga Kurbini dhe Suhareka, dy partnerët e projektit, ekspozuan për vizitorët e shumtë të kësaj feste të organizuar nga bashkia Kurbin produktet për rritjen e efiçencës në ndërtesa.
Stenda e projektit ndau gjithashtu materiale informuese për qytetarët e interesuar të grupmoshave të ndryshme për përfitimet nga masat efiçente në ndërtesat publike dhe private. Çantat e riciklueshme që u ndanë për vizitorët shërbejnë për të dekurajuar përdorimin e qeseve plastike nga qytetarët.
Programi “Rruga drejt përdorimit efiçent të burimeve natyrore vendore” po ofron gjithashtu rritjen e kapaciteteve të stafeve të bashkive si dhe aktorëve të tjerë vendorë në Kurbin dhe Suharekë për të bashkëpunuar drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për Suharekën. Projekti zbatohet në bashkëpunim me Akademia e Studimeve Politike, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, bashkia Kurbin dhe Komuna Suharekë.