INSTAT hedh poshtë pretendimet se në Shqipëri kanë mbetur vetëm 1.5 milionë banorë.
Në një konferencë për shtyp, drejtoresha e këtij institucioni tha se kjo shifër nuk është rezultat i Censit të kryer në vitin 2023.
“Ky informacion nuk është i saktë, se as unë që jam drejtuese nuk e di dhe nuk ka sesi të dalë nga brenda INSTAT”.
INSTAT njofton se rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë dhe banesave në nivel kombëtar do të publikohen në Qershor të vitit 2024.
“Të dhënat e grumbulluara do të kalojnë në procese të rëndësishme statistikore si pastrimi, përpunimi dhe tabelimi”.
Të dhënat e Censit do të përmbajnë informacion të detajuar mbi demografinë, ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë.
“Rezultatet e Censit do të ofrojnë një bazë të fortë për planifikimin e politikave publike dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e programeve që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve”.
INSTAT pohon se gjatë regjistrimit të popullsisë dhe banesave ka pasur edhe refuzime nga qytetarët, por në nivele të ulëta në krahasim kjo me censet e mëparshme.
Në Censin e vitit 2011 popullsia e Shqipërisë rezultoi 2.8 milionë banorë.