Aktualitet

Rreth 794 mijë turistë zgjodhën të vizitonin Shqipërinë në prill, 30% më shumë të huaj.

Për historinë, kulturën, pushimet apo dhe sporte të ndryshme, 30% më shumë turistë zgjodhën të vizitonin Shqipërinë në muajin prill.  

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se 794 mijë ishte numri i të huajve që hynë në territorin shqiptar gjatë muajit që lamë, pas duke arritur kështu shifrën më të lartë në këtë fillimvit.

“Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të jetë një vend atraktiv për të gjithë. Për disa arsye ku më kryesoret përmendim faktin që ne në Shqipëri kemi filluar të ofrojmë një set shërbimesh”, shprehet Ferjolt Ozuni, ekspert turizmi.

Nga toka apo ajri, mbi 2.3 milionë është shifra totale e flukseve turistike hyrëse në 4 muajt e parë të vitit në vendin tonë. 38% më shumë se janar-prill 2023. Nëse kjo ecuri vijon, sipas ekspertëve së shpejti mund të kthehet në një faktor pozitiv për ekonominë e vendit.
“Nëse vijojmë me këto ritme ne mund të japim një ndikim në ekonomi me një rritje të paktën 2% më shumë sesa viti i kaluar”, thotë eksperti.

Për të mos u përballur me një bumerang në turizëm, Ministrja Kumbaro lajmëroi se do të jenë në dispozicion mbi 110 operatorë turistikë detarë të certifikuar dhe mbi 600 udhërrëfyes turistikë të certifikuar, si një domosdoshmëri për turizëm të sigurt. Në 2024 kjo ministri parashikon pritjen e mbi 14 milionë turistët të huaj.

Exit mobile version