Aktualitet

Rriten me 25% kontratat turistike të turoperatorëve. Hapet konkursi ndërkombëtar për fotografimin e Shqipërisë turistike

Qeveria është optimiste se viti i ardhshëm do të jetë edhe më i mbarë për turizmin sesa 2023-shi.

Optimizëm ky që nuk buron thjesht nga pritshmëritë që kanë institucionet qeverisëse, por nga numri i kontratave që turoperatorët kanë lidhur që tani.

Në krah edhe të drejtoreshës së Agjencisë së Turizmit, ministrja Mirela Kumbaro tha se kontratat janë rritur me 25%, ndërsa vlera e tyre me 35%.

“Konfirmojnë se kanë që në fillim të Tetorit një rritje me mbi 25% dhe ajo çka është më interesante, 34-35% më shtrenjtë se sa kontratat e vitit të kaluar”, tha Kumbaro.

Por ndërsa operatorët privatë bëjnë punën e tyre edhe institucionet shtetërore janë angazhuar për një promovim edhe më fortë të Shqipërisë turistike.

Për këtë qëllim hapi i radhës është organizimi i konkursit ndërkombëtar të fotove dhe videoreelsave “Wonderlust in Albania ” që Ministria e Turizmit bashkë me agjencinë kombëtare të turizmit lançuan sot për të gjithë ata që duan të promovojë bukuritë natyre dhe kulturore të Shqipërisë.

“Kemi nevojë ta tregojmë më shumë Shqipërinë tonë të bukur, ta tregojmë me fytyrën e saj të vërtetë, me shumë pozitivitet”, tha Kumbaro.

Nga 20 Nëntori të interesuarit do të kenë mundësi të aplikojnë, dhe me 12 Dhjetor do të shpallen fituesit në një mbrëmje gala.

Shqipëria turistike ka qenë në fokus të mediave ndërkombëtare dhe blogerëve më të njohur, ndërsa Tetori u përmbyll me një shifër rekord prej 9 milionë turistë.

Exit mobile version