Radhe te gjata ne sportelet e ISSH per te paguar kontributet. Rritja e pagës minimale që hyn në fuqi prej 1 Prillit ka sjellë interes të shtuar të qytetarëve për të paguar sigurimet vullnetare. Sipas përllogaritjeve të ISSH-së duke filluar nga muaj i ardhshëm çdo person do të duhet të paguajë 1300 lekë më shumë siguracione private si pasojë e rritjes së pagës minimale.
Edlira Kreka, Drejtore e Kontributeve, ISSH: Kuota e sigurimit vullnetar ndryshon në çdo moment që ndryshon paga minimale, në këtë rast nga 73 mijë Lekë kuota mujore, shkon në 86 mijë Lekë kuota mujore. Me rritjen e pagës minimale kemi një fluks të shtuar të kontribuuesve edhe për të plotësuar periudhat e sigurimit. Kemi një rritje prej 30 % të kontribuuesve për muajin Mars 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo ka bërë që shumë qytetarë t’i drejtohen zyrave të ISSH-së, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të afërmit.
Qytetarja: Jam e interesuar për motrën time e cila është në Greqi dhe dua të di sa vite pune ka për të siguruar të paktën gjysmën e pensionit. Dhe presim të dimë sa vite duhet të paguajmë me kontribute vullnetare për gjysmën e pensionit.
Qytetari: Kontribute dy vite.
Por cilat janë kategoritë që paguajnë më shumë sigurime vullnetare?
“Kontigjenti kryesor për të paguar sigurimet vullnetare është ai që nuk plotëson vitet për pensionin minimal. Kontigjenti i dytë janë të gjithë emigrantët që nuk jetojnë në Shqipëri, por kanë lënë një historik nën 15 vite dhe për të plotësuar këtë kriter paguajnë. Kategoria tjetër janë personat e profesioneve të lira që paguhen me pagë minimale dhe duan të rrisin vlerën e kontributeve”, tha Kreka.
Deri tani rreth 2 mijë persona janë paraqitur për të paguar sigurimet vullnetare, nga 1700 që ka qenë në gjithë vitin e kaluar.