Sipas të dhënave të “Agjencisë Europaine të Statistikave”, për vitin 2020, Shqipëria regjistron normën më të lartë të personave të cilët nuk kanë mundësi të marrin pjesë rregullisht në një aktivitet gjatë kohës së tyre të lirë. Rreth 70% e të anketuarve në vendin tonë janë shprehur se e kanë të pamundur të kryejnë një aktivitet argëtues gjatë kohës kur nuk janë në punë. Kjo normë e ka pozicionuar Shqipërinë në vend të parë duke kryesuar kështu jo vetëm rajonin, por edhe Europën.
Në vend të dytë në Europë me normën më të lartë të personave të cilët nuk kanë mundësi të marrin pjesë rregullisht në një aktivitet gjatë kohës së tyre të lirë është Rumania me 40.9%, pasuar nga Greqia dhe Lituania me 26.9% dhe 23.9%. Referuar shifrave të EUROSTAT, Shqipëria jo vetëm që qëndron e para në listë, por norma e personave që nuk kanë mundësi të marrin pjesë në një aktivitet gjatë kohës së tyre të lirë ka një diferencë të ndjeshme, krahasuar me normën e vendit të dytë, pra Rumaninë. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues për vitin 2020 është 12.7%.
Po të analizojmë vendet e rajonit shohim se renditen mbi mesataren e Bashkimit Europian. Mali i zi vjen pas Shqipërisë me një normë deri në 23.5%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 20.7% dhe Serbia me 19%. Ndërkohë, Çekia, Finlanda dhe Luksemburgu janë vendet me normën më të ulët të personave që nuk kanë mundësi të marrin pjesë rregullisht në një aktivitet gjatë kohës së tyre të lirë.
“Scan Intel” ndër të tjera e ka analizuar këtë tregues edhe për personat të cilët i kanë të ardhurat e tyre nën 60% të mesatares kombëtare, pra personat të cilët janë më të varfër. Sipas të dhënave, Shqipëria sërish renditet e para në Europë, me 86.2% të të anketuarve të cilët janë shprehur se nuk kanë mundësi të kryejnë një aktivitet gjatë kohës së tyre të lirë.
Shqipëria renditet e para edhe sa i përket personave të cilët nuk kanë mundësi të takohen me miqtë ose familjen (të afërmit) për një pije ose vakt të paktën një herë në muaj. Janë 48.5% e të anketuarve në vendin tonë të cilët janë shprehur se nuk kanë mundësi. Pra, gjysma e shqiptarëve nuk ka mundësi të dale për një pije apo të hajë një drekë apo darkë jashtë, qoftë vetëm njëherë në muaj. Mali i Zi ndjek në vend të dytë me 22.9%, pasuar nga Rumania dhe Hungaria me 21.1% dhe 19.2%. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 7.6%, ndërkohë vendet me normën më të ulët janë Qipro me 0.6%, Finlanda me 0.9% dhe Çekia me 1.3%.
I njejti tregues, por për personat të cilët i kanë të ardhurat e tyre 60% në mesataren, e rendit Shqipërinë përsëri vendin e parë në Europë, me 73.9% të atyre që nuk kanë mundësi të takohen më të afërmit ose miqtë për një pije ose një vakt./SCAN