Aktualitet

Sfidat e edukimit mediatik të qytetarëve. Kryetarja e AMA-s: Sfidë, hartimi dhe zbatimi i rregulloreve që monitorojnë mjedisin e ri

Sfidat e licencimit të medias në epokën digjitale, dezinformimi apo edukimi mediatik i publikut kanë qenë disa nga temat e trajtuara në forumin vjetor të enteve rregullatore të vendeve të Detit të Zi, “BRAF”.

Në Konferencën e zhvilluar në Turqi, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, përveç prezantimit mbi rolin e AMA-s, u ndal te edukimi mediatik i publikut.

“Është e rëndësishme që qytetarët të kenë akses në informacion, por është njësoj e rëndësishme edhe që ata të kenë edukimin e nevojshëm në përdorimin e mediave online, të dinë të dallojnë dhe të përzgjedhin informacionin e saktë nga ai i rremë dhe të kenë aftësinë e duhur analitike e kritike në realitetet komplekse online”.

Kryetarja e AMA-s foli edhe për rrugët e reja të komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale apo platformat e shpërndarjes së videove.

“Kjo nënkupton një sfidë të re për entet rregullatore, për hartimin dhe zbatimin e udhëzuesve dhe rregulloreve që përshtasin dhe monitorojnë këtë ambient të ri mediatik, këtë sistem të ri komunikimi online, por pa prekur lirinë e shenjtë të shprehjes”.

Aktualisht, autoritetet rregullatore të medias, si AMA, po përshtaten me detyrat dhe përgjegjësitë e reja e po zhvillojnë qasje të reja për rregullimin ligjor për ofruesit e shërbimeve mediatike në treg.

Exit mobile version