Aktualitet

Banesat me qira ditore konkurrojnë bindshëm në tregun imobiliar

Ishte koha e pandemisë kur Elona, e detyruar të punonte nga shtëpia, vendosi të listonte apartamentin e prindërve të saj në internet për qira ditore.

“Eksperienca ime ka filluar gjatë vitit të pandemisë. E kam nisur me një apartament që kisha në pronësi, në fakt të prindërve të mi,” – tregoi Elona.

Ajo tashmë ka në menaxhim 20 prona dhe e ka kthyer në biznesin e saj. Së bashku me Elonën, shumë shqiptarë kanë zgjedhur të japin apartamentet e tyre për qira ditore duke përfituar nga kërkesa e lartë e tregut. Gjithashtu shumë individë marrin apartamente me qira, për t’i lëshuar më pas me qira ditore.

 “U bë prona e parë, e dytë. Kuptova që tregu kishte nevojë për menaxhim. Kërkesa ishte në rritje. Tashmë në këtë vit që ne flasim janë mbi 15 mijë apartamente të listuara në Booking dhe Airbnb,” – u shpreh Elona.

Por së bashku me qytetarët shqiptarë, shumë investitorë të huaj kanë parë përfitime nga ky treg i cili vitet e fundit nuk rresht së pushuari.

“E kanë parë Shqipërinë si një potencial në rritje të kapacitetit dhe të turizmit që sapo vjen dhe po rritet nga viti në vit dhe kanë ardhur këtu të investojnë. Ndoshta edhe pse çmimet e apartamenteve janë akoma të prekshme. Në Europë kostoja është goxha më e lartë, kufizimet ligjore janë akoma më të larta. Në Shqipëri është më kollaj.”

Sipas agjentëve të tregut imobiliar, të huajt që investojnë në Shqipëri tërhiqen nga çmimet e ulëta dhe taksat me leverdi.

 “Është një magnet që tërheq të huajt. Sa më të ulëta t’i kesh taksat aq më shumë tërheq investitorin e huaj, atë blerësin final të huaj. Në bazë të llogaritjeve tona çdo pronar nuk paguan mesatarisht më shumë se 200 mijë lekë në vit.”

Turistë të huaj por edhe profesionistë që udhëtojnë për motive pune, zgjedhin opsionin e qirave ditore për shkak të kostove më të ulëta dhe lehtësirave që ofrojnë. Një apartament me qira ditore kushton mesatarisht 35 deri në 150 euro nata.

Exit mobile version