Kur kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga nisja e vitit të ri akademik në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, problematik vijon të jetë numri i ulët i regjistrimeve. Në dhjetë programe arsimore të këtij viti janë të regjistruar më pak se 5 persona ndërsa numri më i ulët i regjistrimeve është shënuar në degën e juridikut ku nga 300 kuota të lira janë regjistruar vetëm 37 nxënës.
Këto shifra alarmante janë të publikuara në këtë fazë të dytë të regjistrimeve në faqen zyrtare në UAlbania.
Deri më tani në programin e gjuhë letërsisë janë regjistruar vetëm 5 nxënës, 3 tek gazetari-komunikim, 4 në pedagogji muzikore, 4 në gjeografi, 2 në fizikë, 4 në gjuhë italiane dhe gjermane, 2 në gjeografi dhe zhvillim territori dhe 4 në udhërrëfyes turistikë.
Ndryshe nga sa ka qenë trend ndër vite, këtë vit akademik, në degën e juridikut janë plotësuar vetëm 12% e kuotave.
Kampionë si vitin e kaluar mbeten degët e infermierisë që i kanë plotësuar pothuajse të gjitha kuotat që në fazën e parë.
“Në programin e studimit infermieri janë ezauruar të gjitha kuotat e vendosura nga departamenti. Kemi rreth 12 kërkesa për 6 vende lirshëm si program i dytë studimi. Po ashtu kuotat që vijnë nga trojet nga 6 të mundshme janë ezauruar 4 të tilla,” – u shpreh shefi i departamentit të infermierisë, Emiljano Pjetri.
Ndonëse qeveria ka vendosur masa parandaluese për largimin e të sapo diplomuarve, kjo nuk i ka stepur të rinjtë që të zgjedhin infermierinë si kartën e tyre më të sigurt drejt Bashkimit Europian.
“Unë mendoj që është tregu i punës që rregullon këto marrëdhënie sipas dëshirës dhe mundësisë, por nuk mund të lë pa përmendur edhe përgatitjet pasi tregu i punës mund të jetë por nëse ne nxjerrim studentë të pa përgatitur ata normal që nuk do të jenë kurrë të aftë për tregun e punës,” – tha Pjetri.
Jo më pak e pëlqyer mbeten degët e ekonomisë ku kryeson administrim biznesi me vetëm 27 kuota të lira nga 105 dhe financa me 45 kuota të lira nga 100.
Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbyllja e regjistrimeve, ende shumë degë rrezikojnë të mbyllen në universitetin e Shkodrës.