Shqiptarët nuk janë pijedashës. Në renditjen globale vendi ynë renditet i 90-ti, nga 190 shtete të marra në shqyrtim për konsumin e alkoolit.
Pra, në listën e publikuar nga CIA, konsumi është disa herë më i ulët, pavarësisht nga perceptimi.
Konsumi vjetor për banor raportohet 4.4 litra, sasi kjo që na çon shumë larg vendeve të para si ishujt Cook, Letonia, Çekia e Lituania ku norma vjetore e konsumit për frymë kalon 12 litra. Edhe në raport me rajonin, shqiptarët bashkë me fqinjët e Maqedonisë së Veriut janë më pak të prirur për të pirë alkool, ndërsa pijedashësit më të mëdhenj jetojnë ne Malin e Zi. Në sasi, birra mban peshën kryesore të konsumit, ndjekur nga rakia dhe vera.
Edhe statistikat zyrtare të Eurostat e rendisin Shqipërinë të parafundit në kontinent, duke lënë pas vetëm Turqinë.
Pijet alkoolike janë më të lirat në Evropë në Maqedoninë e Veriut, me 81 për qind të mesatares evropiane dhe më të shtrenjtat në Suedi, me 219 për qind të mesatares evropiane.
Shpenzimi nominal për frymë për pije alkoolike në Shqipëri është 86 euro, ndërsa në Bashkimin Europian 286 euro.
Gëzim Hoxha eksperti i sigurisë rrugore tha në një intervistë për “Good Morning Albania” se shqiptarët nuk janë përdorues të mëdhenj të alkoolit, në krahasim me vendet e tjera.
Ai tha se statikisht ne jemi vendi që konsumon më pak alkool, por jemi vendi që ngasim më shpesh makinën në gjendje të dehur.
Hoxha tha se ne shqiptarët shpesh pinë alkool në momentin e gabuar, kur mblidhen me të afërm për të festuar, e më pas e ngasin makinën të dehur, kjo gjë duhet të ndryshojë pasi është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve. “Problemi është se duhet të kemi më shumë kujdes me emigrantët. Ata kanë vite pa ardhur e ne shqiptarët kemi zakonin “hajde pinë një gotë raki” ai thotë nuk dua, po ne e detyrojmë, pi një e dy, e fusim dhe në makinë e i themi ik tani, ikën ai e bëhet copa.
Duhet të mos ndikojmë te të tjerët për të pirë alkool. Ne jemi vendi që me statistika botërore pimë më pak alkool, por pimë më shumë alkool kur ngasim makina. Ne në raport me vendet e tjera nuk jemi përdorues alkooli, por pimë kur ngasim makinën, nuk jemi në rregull nga trutë e kokës, se dimë kur duhet të pimë e kur nuk duhet të pimë. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen”,-tha Gëzim Hoxha.