Aktualitet

Shtohen përdoruesit e drogës tek të rinjtë. Specialistët: Mbi 85% janë meshkuj, pjesa tjetër femra

Numri i përdoruesve të drogave në Shqipëri ka ardhur gjithnjë e në rritje vitet e fundit, kjo vihet re më shumë sipas specialistëve gjatë stinës së verës apo gjatë fundvitit. Hashashi, heroina dhe kokaina janë ndër më të shpeshtat që përdoren sipas mjekëve toksikologë.

“Si statistika vjetore mund të themi kemi një rritje të lehtë, e cila mund të jetë influencuar edhe nga fluksi i turizmit. Ndërsa po ta ndajmë në stinë, sigurisht evidentohet më shumë në stinën e verës dhe në prag të festave të Vitit të Ri kemi një shtim të përdoruesve të këtyre drograve. Mund të rendisim hashashin, kokainën, heroinën dhe një pjesë tjetër drogrash që futen tek ato volative ose halucinogjenal.”

Specialistët shprehen se shumica e përdoruesve janë krah pune aktiv, por nuk mungojnë as adoleshentët.

“Janë kryesisht mosha aktive për punë, por nuk mungojnë as ata që janë nën 18 vjeç dhe 85% jane meshkuj, ndërsa 15% janë femra.”

Rastet që paraqiten në repartin e toksikologjisë në QSUT janë kryesisht ata që kalojnë mbidoza si nga droga, po ashtu edhe nga alkooli.

“Në QSUT vijnë raste të cilat marrin mbidoza të substancave të ndryshmë të klasifikuara si droga. Në varësi të llojit të drogës të cilat mund të jenë stimulant, depresant, halucinogjen varet edhe klinika, por gjithsesi kemi cënim të parametrave jetësore.”

Edhe pse nuk ka shifra zyrtare fikse në teë gjithë vendin sipas qendrave të rehabilitimit janë rreth 70 mijë përdorues të lëndëve narkotike të ndryshme, prej të cilëve një pjesë e konsiderueshme kanë krijuar varësi nga droga.

Exit mobile version