Zgjedhjet vendore të 2023 u shoqëruan me një “paradoks”. Numri i personave që kishin të drejtë vote arriti në 3.65 milionë persona, që është niveli më i lartë historik.
Por, në kontrast me këtë shifër, numri i atyre që realisht votuan është më i ulëti i pas viteve 90 (me përjashtim të 2019-ës kur zgjedhjet në pjesën më të madhe u bojkotuan).
Sipas të dhënave ende jo përfundimtare të KQZ-së (që çuditërisht akoma nuk janë përfundimtare, ndonëse kutitë kanë kohë që janë mbyllur), pjesëmarrja në votime është rreth 37%, më e ulëta e pas viteve ’90 (me përjashtim të 2019-s).
Si rrjedhojë janë vetëm rreth 1.3 milionë votues, nga 1.61 milionë në zgjedhjet lokale të 2015-s dhe 1.66 milionë në zgjedhjet e përgjithshme 2021.
Numri i zgjedhësve i pas viteve ’90 po ndikohet nga dy faktorë. I pari është rritja e brezit të viteve ’90, që për momentin po jep efekt pozitiv, pasi gjithnjë e më shumë të lindur të viteve ’90 kanë të drejtë vote (teorikisht, pasi një pjesë e tyre mund të mos jenë në Shqipëri).
I dyti është niveli i lartë i emigracionit që ka reduktuar ndjeshëm popullsinë banuese në Shqipëri, por ka dhënë ndikim të dukshëm dhe në plakjen e popullsisë, e reflektuar në numrin e ulët të lindjeve të reja (norma e norma e lindshmërisë për çdo grua në moshë riprodhimi ka rënë në 1.3, poshtë nivelit të zëvendsueshmërisë, nga mbi 3 që ishte në fillim të viteve ’90), sipas INSTAT.
Në 1990-n, vetëm 62% e popullsisë kishte mbushur moshën për të votuar, sot ka arritur në 80%
Deri në vitet 2000, ndonëse popullsia banuese në vend ishte më e lartë sesa sot, numri i votuesve ishte i ulët, për shkak të moshës së re të saj. Sipas të dhënave të divizionit për popullsinë të Kombeve të Bashkuara, nga 3.3 milionë banorë që ishin të regjistruar në vend në vitin 1990, rreth 38% e tyre, ose 1.26 milionë banorë ishin nën 18 vjeç, pra që nuk kishin të drejtë vite.
Por, për shkak të emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve, si reflektim si i emigrimit ashtu dhe ndryshimit të stilit të jetesës, pesha e popullsisë nën 18 vjeç erdhi në rënie të vazhdueshme. Psh në vitin 2000, rreth 35% e popullsisë banuese ishte nën 18 vjeç, ndërsa në vitin 2021 zbriti në mënyrë drastike në 20%. Kjo do të thotë që nga 2.85 milionë banorë që deklarohen që janë në vend, vetëm 574 mijë ishin nën 18 vjeç në 2021-n, ose gjysma e atyre të vitit 1990.
Në të kundërt, gjatë dekadave të fundit për shkak të plakjes graduale të popullsisë është rritur pesha e personave që janë mbi 18 vjeç, në moshë votimi.
Në vitin 1990, kishte të drejtë vote 62% e popullsisë banuese në vend, ose 2 milionë persona. Në vitin 2021 (kur është e dhëna e fundit e disponueshme), popullsia banuese mbi 18 vjeç ishte 2.2 milionë banorë, ose 80% e totalit.
Ndërkohë, rritja e diferencës mes popullsisë që ka të drejtë vote dhe atyre që votojnë realisht është një tregues indirekt i shtimit të emigracionit.
Siç tregon dhe grafiku “Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore” numri i personave me të drejtë vote në raport me votuesit realë ka një korrelacion negativ, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në moshë votuese janë jashtë vendit.
Diferenca është theksuar ndjeshëm në 2023, me 2.4 milionë persona mes numrit të personave që kanë të drejtë vote dhe atyre që votuan realisht, nga 1.4-1.7 milionë, që ishte në periudhën 2000-2015, duke treguar thellim të emigracionit, në raport me 8 vite më parë.
E ardhmja më e zymtë
Në vitin 1990, sipas INSTAT, në vend kishte 82 mijë lindje, ndërsa në 2022 vetëm 23.5 mijë (shiko grafikun Lindjet 1990-2022).
Ndërsa Shqipëria sot po merr “përfitimet” e numrit të lartë të të lindurve në vitet ’90 , projeksionet e Kombeve të Bashkuara janë që popullsia e Shqipërisë do të bjerë në mënyrë drastike në vitet që vijnë, e ndikuar nga rënia e lindshmërisë dhe emigracioni.
Kombet e Bashkuara presin që popullsia totale banuese në vend, në vitin 2100, sipas variantit mesatar, do të zbresë në 1.1 milionë banorë (shiko grafikun: Popullsia e Shqipërisë 1990-2021 dhe projeksioni 2022-2100).
Dhe më këtë tendencë, teksa efekti i të lindurve në vitet ’90 do të përfundojë, popullsia po plaket, lindjet po bien dhe emigracioni po shtohet, në të ardhmen nuk do të jetë e largët dita që do të ketë më “shumë kandidatë partiakë” sesa votues! /Monitor/