Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete tha në analizën vjetore të ministrisë nën drejtimin e tij, se skema për pensionet do të rishikohet. Ai tha se për të pasur një pasqyrim më të mirë, do të pritet dalja e rezultateve të Censit nga INSTAT.
Kjo sipas ministrit do të ofrojë një pamje më të qartë për zhvillimet demografike dhe për të vlerësuar skemën e pensioneve dhe të mbrojtjes sociale.
“Zhvillimet demografike janë ato që informojnë edhe qasjen që ne duhet të kemi tashmë për një vlerësim të dytë pas një dekade lidhur me skemën e pensioneve.
Duke pritur rezultatet e censusit të INSTAT-it besoj se do kemi më tepër informacion për ta marrë parasysh sa i përket vlerësimit të skemës së pensioneve nga një anë por edhe të shtyllave të tjera të mbrojtjes sociale”,-tha ministri Mete.