Operatorët: Prenotimet e të huajve të Tetorit
Turizmi për vitin 2023 jo vetëm që ka arritur shifra rekord të turistëve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, por edhe të ardhurat në këtë sektor pritet të shënojnë një rekord të ri, madje dyfish më të larta se viti 2022.
“Nëqoftëse ne vjet kemi gjeneruar 2.7 miliardë Euro në mos gaboj, unë besoj që sivjet ne do të shkojmë rreth 4 miliardë Euro.“
Sipas kreut të Unionit Turistik shqiptar Rrahman Kasa, numri i turistëve për këtë sezon veror pritet të jetë 40% më shumë.
“Domethënë, ne mendojmë ndoshta 40% më shumë, gjithsesi ngelet për t’u bërë bilanci se jemi pak shpejt.”
Sezoni veror në Shqipëri tashmë nuk mbyllet në muajin Gusht.
Zgjatja e sezonit turistik nga 3 në 5 muaj sipas Kasës është një arritje e madhe. Ndërkohë që prenotimet në strukturat akomoduese sipas tij janë deri në mes të muajit Tetor.
“Në bazë të këtyre marrëveshjeve, ne i bie ta mbyllim sezonin rreth datave 10, 15 Tetor duke shkuar drejt një sezoni 5 mujor që është një periudhë e kënaqshme për Shqipërinë.”
Sipas të dhënave të INSTAT për periudhën Janar-Korrik 2023, në vend kanë hyrë rreth 5.2 milionë turistë të huaj. Ky numër është rritur me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Ndërkohë që pritet që deri në fund të këtiuj viti numri i turistëve të huaj të arrijë në rreth 10 milionë.