Rreth 193 mln lekë është vlera totale paraprake e shpronësimit për pronat që preken nga projekti hekurudhor Tiranë – Durrës – Rinas.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka shpallur listën me 74 pasuri të paluajtshme ku kalon gjurma e hekurudhës, teksa personat që janë pjesë e saj apo ata që nuk figurojnë në listë do të duhet të shprehin dakordësinë apo pretendimet e tyre, në mënyrë që më pas t’i hapet rruga përfundimit të procedurave të shpronësimit.
Përfundimi i këtij procesi është kyç për të vijuar me punimet në këtë linjë hekurudhore, kryesisht në degëzimin e ri drejt aeroportit të Rinasit që është gjurmë tërësisht e re.
Sipas të dhënave të bëra publike pak kohë më parë, aktualisht në këtë vepër hekurudhore kanë përfunduar 70% e volumit të punimeve dhe 90% e veprave të artit. Megjithatë sfidë mbetet sigurimi i financimit për elektrifikimin e saj, pasi projekti fillestar nuk e kishte parashikuar.
Vënia në funksion e kësaj linje pritet t’i japë një hov transportit hekurudhor në Shqipëri, duke sjellë jo vetëm ulje të kostove të transportit për udhëtarët dhe mallrat, por edhe ulje të ndjeshme të emetimeve të gazeve me efekt serrë e rrjedhimisht përfitime mjedisore dhe shëndetësore.
Sipas deklaratave të fundit, punimet parashikohet të përfundojnë në mars të vitit 2025.