Vlora është duke përjetuar një dramë ambientale, teksa ndodhet në kulmin e sezonit turistik.
Edhe gjatë ditës së sotme, në qytetin bregdetar ka vijuar djegia me intensitet të lartë e tonelatave të tëra me mbetje që prej vitesh depozitohen në landfillin e qytetit.
Pamjet që vijnë nga Vlora janë trishtuese, teksa një re e madhe kancerogjene e tymit ka mbuluar thuajse plotësisht qytetin.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, nuk ngurron ta quajë këtë “një akt terrorist”, teksa thotë se zjarrënia është e qëllimshme.
“Ti vendosësh qëllimisht zjarrin plehrave në Vlorë, në kulmin e sezonit turistik është “AKT TERRORIST”, shkruan ai.
Deri më tani, nuk ka asnjë reagim nga autoritetet lokale lidhur me këtë situatë, ndërsa zjarrfikësit, shumë prej të cilëve janë angazhuar në shuarjen e vatrave të zjarreve në male, duket se e kanë të pamundur izolimin e kësaj vatre.