Nga janari i këtij viti, hyri ne fuqi ulja e ndjeshme e komisioneve te ndërmjetësimit, nga shoqerite e sigurimit, per sigurimin e detyrueshëm motorik, duke i paraprirë madje edhe uljes së mëtejshme të përcaktuar në rregullore nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Në janar të vitit 2022, hyri në fuqi rregullorja e miratuar nga AMF, në zbatim të ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, e cila parashikonte se shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës nuk mund të aplikonin komisione ndërmjetësimi më të larta se 20% të primit të shkruar bruto. Nga raportimet e bëra për vitin 2022, komisionet e ndërmjetësimit janë ulur në një mesatare tregu prej 17.5%, ndërsa përpara hyrjes në fuqi të rregullores, këto komisione ishin mesatarisht rreth 27%.
Bazuar në rregulloren e AMF, duke nisur nga janari i vitit 2023, shoqëritë e sigurimit nuk mund të aplikojnë komisione ndërmjetësimi më të larta se 18% të primit të shkruar bruto. Por ndërkohë, nga mesatarja në nivel tregu, rezulton se kjo kuotë është aplikuar në masën më të madhe nga shoqëritë e sigurimit që në vitin 2022. Kufizimi me rregullore i komisioneve të ndërmjetësimit ka sjellë në përgjithësi ulje të kostove të marrjes në sigurim për shoqëritë e Jo-Jetës. Sipas të dhënave, rezulton se shpenzimet për sigurimet e detyrueshme motorike (TPL, Karton Jeshil, Policë Kufitare) për vitin 2022 kanë zbritur në një mesatare tregu prej 24%, nga rreth 33% që ishin përpara hyrjes në fuqi të rregullores.
Synimi i vendosjes së niveleve tavan të komisioneve për ndërmjetësit (agjentët/brokerat) ishte rritja e eficiencës së shpenzimeve të shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës. Kjo masë duket se ka dhënë menjëherw rezultat që në vitin e parë të aplikimit të kufizimit të komisioneve, gjë që u shoqërua gjithashtu me një rritje të ndjeshme të pagesës së dëmeve në sigurimin e detyrueshëm motorik me 15%, krahasuar me vitin 2021. Rritja e vlerës së dëmeve të paguara u shoqërua edhe me rritje të numrit të dëmeve të paguara, por ndërkohë edhe me një ulje të ndjeshme të numrit të dëmeve pezull në nivel tregu, me afro 24%.
Kufizimi i nivelit të komisioneve të ndërmjetësimit në sigurimin e detyrueshëm motorik ka sjellë përgjithësisht edhe një ulje të mesatares së komisioneve për të gjitha produktet e sigurimit në nivel tregu. Kështu, nga një mesatare komisionesh prej 26% përpara hyrjes në fuqi të rregullores së AMF, në fund të vitit 2022, mesatarja e komisioneve për të gjitha produktet e sigurimit në nivel tregu ka zbritur në 21%.