Aktualitet

Dështon tenderi i pullës së barnave/ Pacientët vuajnë mungesën e medikamenteve

Mungesat e barnave në treg janë thelluar përgjatë dy javëve të fundit. Farmacistët, thonë jashtë kamerave se mungesat janë të mëdha dhe shkak për këtë është bërë mungesa e pullave të sigurisë së barnave.

Burime të Euronews Alabania bëjnë me dije, se tenderi për pullat e sigurisë së barnave ka dështuar, si pasojë e ankesës që ka ardhur nga subjekte pjesëmarrëse në këtë tender.

Për pasojë Qendra Kombëtare e Barnave dhe pajisjeve mjekësore po punon me sasi të kufizuar pullash, pa pasur fuqi të furnizojë të gjithë distributorët që kanë medikamentet gati për ti hedhur në treg.

Në këto kushte, shumë sëmundje po mbeten të pa trajtuara.

Depakina, 300 mg është një nga preparatet alternativë e vetme për trajtimin e epilepsisë tek fëmijët e cila nuk gjendet në treg.

Në dyert e farmacive përplasen çdo ditë qytetarë me receta që përmbajnë barna që farmacistët nuk i disponojnë.

Lista e barnave që nuk i gjen në farmaci është e gjate, disa prej të cilave janë parlin, kordarone, augmentin apo berlipril.

Farmacistët thonë se për këto barna ka alternativa por pacientët refuzojnë ti marrin, pasi i referohen vetëm ilaçit me emrin tregtarë që mjeku ju ka përshkruar në recetë.

Medikamente që mungojnë në treg

Parlin 1mg

Rheumeser Ampule

Shurup Azitrovis 200

Akilen 80mg

Cordarone 200mg

Etason 1mg

Augmentin 625 mg

Berlipril 20mg dhe 10mg. 

Exit mobile version