Prodhuesit e vezëve në vend po përjetojnë një situatë pozitive për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në Europë.
Në janar 2023 eksportet e vezëve janë 3-fishuar në sasi raport me muajin janar 2022, duke arritur në 217 mijë kg. Në vlerë, eksportet u pesëfishuar, për shkak të çmimit më të lartë, duke arritur në gati 53 milionë lekë. Në 10 vitet e fundit sipas të dhënave të doganave kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve për periudhën e muajit janar. Rritja e eksporteve ka nisur që muajin dhjetor 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 eksportet janë 24 herë më të larta.
Shkak i shtimit të eksporteve është mungesa e vezëve në tregun europian dhe SHBA. Shpërthimet e gripit të shpendëve në SHBA dhe Europë kanë vështirësuar furnizimet që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.Për muajin janar 2023 sipas të dhënave të doganave, eksportet janë kryer nga 4 kompani prodhuese. Një nga kompanitë “Veza e Mëngjesit” tha për Monitor se aktualisht po eksporton vezë për industrinë e ushqimit në Kroaci dhe Greqi, si dhe për konsum në Serbi. Përfaqësues të kompanisë thanë se rritja e eksporteve ka ardhur për shkak të mungesës së vezëve në këto tregje. Për muajin janar 2023 eksportet në vlerë u rritën 5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar sipas të dhënave të Doganave. Operatorë të tregut pohuan se krahasuar me vitet e kaluara eksportet janë me çmim më të lartë, çka u mundëson atyre të kompensojnë kostot e larta nga TVSH-ja dhe për herë të parë të rrisin fitimet.
Por rritja e çmimit të vezëve për eksport ka sjellë një rritje të lehtë të çmimit edhe në tregun vendas. Kompanitë thonë se çmimi maksimal i vezëve nga pularitë ka arritur në 19 lekë për kokërr nga 17,5 deri në 18 lekë që shitej më parë.
Në tregun e pakicës veza e hapur po tregtohet me 24 lekë nga 23 lekë që ishte. Para valës së rritjes së drithërave për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë nga fermat blegtorale ishte 13 lekë për kokërr, ndërsa në tregun e pakicës 16 lekë për kokërr.
Rritja e çmimit të vezës në muajin mars në Shqipëri u ndikua edhe nga mungesa e produktit për shkak të ngordhjes së shpendëve nga influence aviare. Nga ekspertët u vlerësua se në vend ngordhën 500,000 krerë pula. Prodhimi në ferma përpara virusit ishte 1,350,000 vezë/ditë. Kompanitë pohuan se në atë periudhë nga ngordhja e shpendëve prodhimi u reduktua 50%.
Gripi i shpendëve shton mungesën dhe rrit çmimet e vezëve në Europë dhe SHBA
Prej 2 muajsh kutia e vezëve po kthehet në simbolin e inflacionit të çmimeve në SHBA dhe për disa shtete të Europës. Reduktimi i ofertës ka sjellë rritje të çmimeve. Shkaku kryesor i mungesës së vezëve duket të jetë gripi i shpendëve, më formalisht i referuar si gripi patogjen i shpendëve (HPAI). Që nga 23 janari 2023, shifrat e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë tregojnë se 58,1 milionë pula janë prekur nga gripi i shpendëve në 47 shtete të SHBA. Në fund të nëntorit 2022, BBC e përshkroi valën aktuale të gripit të shpendëve si “më e keqja ndonjëherë në Evropë dhe në SHBA”. Reduktimi i ofertës së shpendëve që bëjnë vezë ka sjellë rritje të çmimeve. Në fillim të muajit janar në SHBA është shënuar çmimi më i lartë i vezëve duke arritur në 5,3 USD nga 1,93 USD/dozen që ishte në janar 2022. Çmimi ishte gati 2 fish më i lartë. Prej 3 ditësh në SHBA çmimi i vezëve është ulur 50% në raport me fillimin e muajit janar. Shkak i rënies së çmimit janë eksportet e vezëve nga Meksika, ku në shumë raste u tentuan të futen edhe kontrabandë. Në BE, vendet që janë më të prekura nga rritja e çmimeve janë Hungaria (125.4%), Gjermania (106%) dhe Holanda (90.6%).
Përveç gripit të shpendëve, industria në mbarë botën është prekur nga rritja e kostove të prodhimit, duke përfshirë ushqimin e pulave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë./Monitor/
Leave feedback about this