Instituti i Sigurimeve Shoqërore nisi këtë të hënë shpërndarjen e pensioneve të indeksuara në masën 8.6%.
Në total janë 767 mijë pensionistë në të gjithë vendin që do të përfitojnë nga ky vendim i qeverisë, që i ka përfshirë të gjitha kategoritë. Shpërndarja e pensioneve për të gjithë individët përfitues, sipas institutit të sigurimeve shoqërore do të bëhet në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe bankat tregtare.
Rritja në masën 8.6% erdhi si një masë mbrojtëse, për këtë kategori përballë goditjeve të njëpasnjëshme që ka shkaktuar inflacioni në vend. Sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ky indeksim, mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023.
Kjo referuar dhe në matjet e bëra nga ana e INSTAT. Me këto ndryshime, pensioni mesatar shkon në 18,794 lekë në muaj nga 17,306 lekë që ishte.
Nga buxheti për politikën sociale ndërkohë pritet të harxhohen 15.3 miliardë lekë më shumë deri vitin e ardhshëm. Por krahas indeksimit të pensioneve, të gjithë pensionistët do të marrin në fund të vitit edhe bonusin prej 5 mijë lekësh.
Leave feedback about this