Për t’u siguruar nga katastrofat në 2022, shqiptarët shpenzuan më pak se 16 milionë euro
Aktualitet

Për t’u siguruar nga katastrofat në 2022, shqiptarët shpenzuan më pak se 16 milionë euro

Tërmetet e forta të datës 6 shkurt në Turqi sollën, edhe një herë në kujtesë, rrezikun e lartë nga fatkeqësitë natyrore.

Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe në nëntor të vitit 2019 u përball me një tërmet të fortë që shkaktoi 51 viktima, shumë të plagosur dhe dëme të mëdha në ndërtesa.

Fatura e dëmeve u vlerësua në më shumë se 1 miliard euro dhe në pjesën dërrmuese këto dëme u mbuluan nga programi i rindërtimit, financuar nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të ndryshëm.

Sipas vlerësimeve, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 40 milionë euro dëme të lidhura me këtë ngjarje. Kjo shifër reflekton shkallën e ulët të sigurimit ndaj fatkeqësive natyrore në Shqipëri. Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë që atëherë.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për vitin 2022, primet e shkruara bruto për sigurimin e pronave nga katastrofat kishin vlerën e 1.82 miliardë lekëve, ose më pak se 16 milionë euro.

Shpenzimi mesatar për frymë për sigurimin e pronës nga fatkeqësitë natyrore vlerësohet në më pak se gjashtë euro për frymë ose më pak se 21 euro për familje. Në pjesën dërrmuese, kontratat janë të lidhura me detyrimin e vendosur nga bankat tregtare për sigurimin e pronave të lëna si kolateral dhe me sigurimet në segmentin e biznesit.

Instat e vlerëson numrin e përgjithshëm të familjeve në Shqipëri rreth 765 mijë, ndërsa lidhur me numrin e banesave të dhënat më të fundit janë ato të Censusit 2011, ku u regjistruan rreth 1.075 milionë banesa.

Megjithëse tendencat demografike kanë një prirje të qartë rënëse që nga Censusi i fundit, numri i banesave vlerësohet të ketë pësuar një rritje të ndjeshme, sidomos pas bumit të ndërtimit të viteve të fundit, i përqendruar kryesisht në kryeqytet dhe në zonat bregdetare.

Sipas statistikave të AMF, numri total i kontatave të sigurimit për dëmet në pronë (jo vetëm për sigurimin nga katastrofat) arriti në 54 mijë. Pa marrë parasysh që një pjesë e mirë e kontratave i takojnë bizneseve, mund të vlerësohet se aktualisht sigurimi i pronës mbulon vetëm 7% të familjeve ose 5% të banesave.

Siguruesit shprehen pesimistë rreth mundësisë për të siguruar një mbulim masiv të popullsisë me sigurim nga katastrofat mbi baza vullnetare. Prej vitesh qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë e ngritjes së një skeme kombëtare të sigurimit nga fatkeqësitë, me konsulencën e Bankës Botërore. Deri tani, një skemë e tillë nuk është ngritur dhe në rast të katastrofave shumica e shqiptarëve do të ishin të ekspozuar ndaj një dëmi të madh ekonomik.

Drafti i fundit që iu propozua qeverisë shqiptare në fund të vitit 2019 bazohej në modelin e një skeme të detyrueshme, që do të menaxhohej nga një ent publik, i ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Sigurimi i detyrueshëm do të mbulonte vetëm dëmet nga tërmetet dhe primi do të varionte nga 15 deri në 25 euro në vit, në varësi të llojit të ndërtimit.

Skema e propozuar ishte e ngjashme me modelin e aplikuar nga Turqia, një vend me rrezik shumë të madh nga tërmetet. Nga ana tjetër, kompanitë e sigurimit janë shprehur kundër ngritjes së skeme të posaçme publike për këtë qëllim, duke kërkuar që sigurimi i detyrueshëm të bëhet pranë kompanive private, ndërsa rreziqet do të risigurohen tek risigurues të huaj, sipas parimeve që ndiqen edhe sot për këtë produkt.

Monitor.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X