Viti 2023 nisi me një rritje të lehtë të raportit të kredive me probleme. Ky tregues arriti në 5.1%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja erdhi sidomos nga tkurrja e madhësisë së portofolit të kredisë për ekonominë, ndërsa nuk është vërejtur ende një rritje shqetësuese e stokut të kredive me probleme.
Megjithatë, bazuar në projeksionet e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, një rritje e lehtë e raportit të kredive me probleme është e pritshme për vitin 2023. Faktorët kryesorë që mund të sjellin një rritje të këtij raporti janë ngadalësimi i ekonomisë, inflacioni ende i lartë, rritja e normave të interesit dhe frenimi i kreditimit. Sipas skenarëve të parashikimit, rritja e raportit të kredive me probleme mund të arrijë deri në intervalin e 2-3 pikë përqindje.
Megjithëse deri tani nuk vërehet një rritje e mirëfilltë e raportit të kredive me probleme, burime nga sektori financiar bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë po merr në konsideratë disa masa si përgjigje ndaj një rritjeje të mundshme të raportit të kredive me probleme. Mekanizmi kryesor mund të jetë lehtësimi i ristrukturimit të kredive. Ky instrument u përdor edhe gjatë periudhës së pandemisë dhe rezultoi mjaft efikas për të mbajtur nën kontroll treguesin e kredive me probleme.
Lehtësimi i ristrukturimit konsiston kryesisht në pezullimin e përkohshëm të disa kërkesave rregullatore. Kuadri i Bankës së Shqipërisë për administrimin e rrezikut të kredisë së bankave parashikon që, në rast se një kredi ristrukturohet, ajo duhet të klasifikohet automatikisht si kredi me probleme, edhe në rastet kur ajo është shlyer rregullisht deri në momentin e ristrukturimit.
Rregullorja kërkon që në vazhdim kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit.
Në kushte normale, kjo dispozitë e rregullores bën që bankat të mos kenë interes të pranojnë ristrukturime, sepse kreditë në fjalë duhet ti klasifikojnë si kredi me probleme dhe duhet të llogarisin provigjione për to.
Por, në periudhën mars 2020-mars 2021, këto kërkesa të rregullores u pezulluan, me qëllim lehtësimin e ristrukturimit të kredive të bizneseve dhe familjeve të prekura nga efektet e pandemisë. Kjo masë ndihmoi që raporti i kredive me probleme të mos rritet as gjatë periudhës pandemike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për dyvjeçarin 2020-2021 bankat ristrukturuan rreth 52 miliardë lekë kredi të bizneseve dhe individëve.
Format kryesore të ristrukturimit të përdorura nga bankat ishin zgjatja e afatit të maturimit, kapitalizimi i interesit ose kamatvonesave, ndryshim i principalit dhe caktimi i një periudhe vonese për principalin ose interesin e kredisë. Pjesa më e madhe e ristrukturimeve u krye në formën e zgjatjes së afatit të maturimit, ndërsa pjesa e mbetur është kryer nëpërmjet formave të tjera.
Ruajtja e një nivel të ulët të kredive me probleme është një faktor shumë i rëndësishëm për vijueshmërinë e kreditimit të ekonomisë. Oferta për kredi është shtrënguar ndjeshëm gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, për shkak të rritjes së normave të interesit dhe rreziqeve të shtuara mbi aftësinë paguese të huamarrësve. Rritja e treguesit të kredive me probleme me shumë mundësi do ta shtrëngonte edhe më shumë ofertën për kredi. Monitor
Leave feedback about this