Me ardhjen e vjeshtës dhe fillimin e shkollës janë shtuar rastet e virozave te pacientët e vegjël. Rreth 300 fëmijë paraqiten në ditë vetëm në Urgjencën Pediatrike të Tiranës. Fluks vizitash ka edhe në qendrat shëndetësore. Mjekët thonë se dominojnë rastet me temperaturë shumë të lartë që zgjat nga 2-3 ditë.
Sonila Brati, mjeke pediatre: Temperatura e lartë zakonisht është 24-48 orët e para, temperaturë që shkon 39-40, e vështirë për t’u dominuar. Nëse para shkollës kishim më shumë fëmijët e çerdheve dhe kopshteve, tani shohim edhe moshat mbi 10-12 vjeç, që kanë temperaturë, dhimbje fyti, koke, lodhje.
Këtë vjeshtë, bashkë me virozat, po qarkullojnë edhe rastet me Covid, ndonëse janë të pakta.
Sonila Brati: Ne shkojmë deri në 30 vizita në ditë, 3 apo 4 raste janë Covid pozitiv. Përgjithësisht negativizohen shpejt se dhe simptomat nuk shkojnë më shumë se 3-4 ditë.
Bluzat e bardha këshillojnë prindërit që në çdo rast te konsultohen me ta.
Sonila Brati: Nuk duhet të nxitojnë që për një temperaturë 2-3 ditë të marrin antibiotik se në këtë rast është i panevojshëm, duhet të drejtohen të mjeku.
Mjekët po ashtu rekomandojnë shmangien e ambienteve të mbyllura dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve.
Leave feedback about this