Mjekët stomatolog në klinikën stomatologjike publike janë përballur me fluks të shtuar pacientësh që kanë patur nevojë për shërbim dentar. Në një intervistë për Euronews Albania, drejtori i kësaj klinike Anis Thodhorjani, thotë se numri i pacientëve po rritet nga viti në vit.
“Vetëm në ditët e para të shtatorit kanë kaluar mbi 1200 pacientë i cili është një fluks që tregon jo vetëm përmirësimin e shërbimit por edhe besimit që pacientët kanë fituar ndaj shërbimit publik”,-tha Anis Thodhorjani, drejtor i klinikës stomatologjike publike.
Në klinikën stomatologjike shërbimet e ofruara janë nga baziket siç është kontrolli, pastrimi i gruzave, mbushjet deri tek më profesionale. Në 90% të rasteve shërbimi është falas, dhe 10% kanë pagesë, e cila është për kostot.
“Le të marrim një shembull pjesa protetike nëse në klinikat private shkon 40-50 mijë lekë të reja në klinikën universitare kosto është 6 mijë lekë të reja, pra 1 e 9 e shifrës që paguhet në pjesën private”,-tha Anis Thodhorjani, drejtor i klinikës stomatologjike publike
Prioritet kanë moshat e thyera, pensionistët, ata që janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe fëmijët, më pas shërbimi ofrohet për këdo falas dhe aksesimi është tepër i thjeshtë.
“Paraqitesh pranë klinikës me një fotokopje të kartës së identitetit, paraqitesh tek mjeku i filtrit, dhe të shpërndan në shërbim, mjeku do të japi ditën dhe orarin sipas kalendarit të përcaktuar”, Anis Thodhorjani, drejtor i klinikës stomatologjike publike.
Shërbimi i urgjencës në klinikën publike jepet menjëherë, sa i takon shërbimit për rastet e planifikuar, koha e pritjes nuk është më e gjatë se një javë. Përgjatë vitit 2022, në klinikën stomatologjike publike kanë marrë shërbim mbi 18 mijë pacientë, shumica e të cilëve i përkasim moshave të thyera të cilët kanë bërë protezat.
Leave feedback about this