Kredia për shtëpi ngelet produkti me performancën më të mirë cilësore për sektorin bankar shqiptar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme për këtë produkt ka vazhduar të bjerë edhe në gjysmën e parë të vitit 2023. Në fund të muajit qershor, raporti i kredive me problemeve në kredinë për shtëpi zbriti në 2%, nga 2.3% që kishte qenë në fund të vitit 2022 dhe 2.7% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Raporti i kredive me probleme për kredinë për shtëpi është ndjeshëm më i ulët krahasuar me portofolin total të kredisë të sektorit bankar. Në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme për të gjithë portofolin e kredisë ishte 5.2%, në rritje të lehtë nga niveli prej 5% i fillimit të vitit.
Por, për produktin e kredisë për shtëpi raporti i kredive me probleme po vazhdon të bjerë. Performanca më e mirë cilësore e këtyre kredive është një nga arsyet kryesore që shpjegon ofertën e lartë dhe fokusin në rritje të sektorit bankar ndaj këtij produkti në vitet e fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit gusht portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të palaujtshme nga individët arriti në afërsisht 176 miliardë lekë ose rreth 1.66 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e portofolit të kredisë për shtëpi është rritur me 8.7%, ndërsa krahasuar me tre vjet më parë është rritur me 42.8%.
Për të gjithë 8-mujorin e parë të viti, vlera e kredisë së re për shtëpi arriti në 30.9 miliardë lekë, në rënie me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, po t’i zhvishnim shifrat nga efekti i forcimit të lekut në kursin e këmbimit, kredia për shtëpi do të rezultonte përsëri në rritje edhe këtë vit.
Banka e Shqipërisë vlerëson se shqiptarët kishin më shumë se 35 mijë kredi për shtëpi aktive pranë sektorit bankar në mesin e këtij viti. Në tre vitet e fundit numri i kredive për shtëpi është rritur me 19%. Afërsisht 4.7% e familjeve shqiptare kanë një kredi për shtëpi, llogaritur si raporti mes numrit të kredive për shtëpi dhe numrit të familjeve.
Kredia bankare ka qenë ndër faktorët që kanë mbështetur kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme gjatë këtyre viteve. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rreth 40% e blerjeve në tregun e pronave financohen me kredi bankare.
Këtë vit, Banka e Shqipërisë e ka rritur vetëm njëherë normën bazë të interesit dhe ky tregues aktualisht qëndron në nivelin 3%, ndër më të ulëtit në Europë. Ky frenim është reflektuar në norma më të ulëta interesi në produktet e tregut financiar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në Lekë gjatë muajit korrik pësoi rënie në 4.04%, nga 4.3% që kishte qenë në muajin qershor dhe 4.27% që kishte qënë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat e këtij viti tregojnë se në përgjithësi normat e interesit për këtë produkt kanë ndjekur një tendencë rënëse, pas rritjes së shpejtë në gjysmën e dytë të vitit 2022. Pasi u rritën deri në një nivel mesatar prej 4.99% në muajin nëntor 2022, normat mesatare të interesit pësuan një rënie graduale dhe aktualisht qëndrojnë poshtë niveleve të shënuara në pjesën e dytë të vitit të kaluar./MONITOR
Leave feedback about this