Rritja e turizmit të shqiptarëve jashtë vendit po kontribuon edhe këtë vit në rritjen e të ardhurave për kompanitë e sigurimeve.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për tetë muajt e këtij viti, shqiptarët kanë shpenzuar 1.23 miliardë lekë për të siguruar mjetet e tyre për udhëtime jashtë vendit me produktin e detyrueshëm të Kartonit Jeshil.
Krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, primet e shkruara bruto për këtë produkt janë rritur me 3.3%.
Duke qenë se Kartoni Jeshil shitet në Euro, shkalla e rritjes këtë vit është tkurrur ndjeshëm nga efekti i kursit të këmbimit. Në mungesë të forcimit të Lekut ndaj Euros, rritja e këtij produkti edhe këtë vit do të kishte qenë dyshifrore.
Kartoni Jeshil apo Certifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit.
Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë.
Rritje me përmasa të ngjashme po shënon edhe një tjetër produkt i lidhur pothuajse ekskluzivisht me udhëtimet jashtë vendit, sigurimi i aksidenteve.
Sipas statistikave të AMF, primet e shkruara bruto në këtë produkt arritën në 429 milionë lekë ose 4.05 milionë euro, në rritje me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Po të mbledhim primet e Kartonit Jeshil dhe Sigurimit të Aksidenteve, mund të llogaritet se shqiptarët kanë shpenzuar rreth 15.65 milionë euro për sigurime të lidhura me udhëtime jashtë vendit gjatë tetë muajve të parë të këtij viti.
Të dhënat e INSAT treguan se për 8-mujorin 2023 u regjistruan gjithsej 4.6 milionë dalje të shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të vendit. Numri i daljeve u rrit me 18.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e fortë e turizmit hyrës dhe dalës gjatë këtij viti është një ndër faktorët kryesorë që po mbështet rritjen e tregut të sigurimeve në vend.
Sipas të dhënave të AMF-së, për 8-mujorin 2023 primet e shkruara bruto u rritën me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nëse turizmi dalës ka rritur të ardhurat nga kartoni jeshil dhe sigurimi i aksidenteve, edhe turizmi hyrës ka dhënë efekte pozitive në produkte të veçanta, si polica e sigurimit kufitar të mjeteve apo sigurimi KASKO i mjeteve tokësore.
Ndërsa primet e shkruara bruto nga sigurimi KASKO u rritën me 20%.
Në sigurimin KASKO, një rol të rëndësishëm luan biznesi i makinave me qira, edhe ky i lidhur ngushtë me turizmin hyrës.
Edhe primet e shkruara bruto nga policat e sigurimit kufitar u rritën me 1% krahasuar me një vit më parë, por, edhe në këtë rast, shkalla e rritjes është reduktuar ndjeshëm nga efekti negative i kursit të këmbimit. MONITOR
Leave feedback about this